1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nivel zero në historinë e OKB-së"

Nastassja Shtrauchler
17 Dhjetor 2016

Në dramën e Aleppos, ekspertja e së drejtës ndërkombëtare Nele Matz-Lück sheh vetëm mundësinë e një ndërhyrjeje humanitare.

https://p.dw.com/p/2URVb
Prof. Dr. Nele Matz-Lück, Völkerrechtlerin am Walther-Schücking-Institut für Internationales Recht, Kiel
Prof. Dr. Nele Matz-Lück, eksperte e së drejtës ndërkombëtare në Institutin Walther-Schücking në KielFotografi: Moritz Beck

DW: Pse nuk ndërmerr asgjë bashkësia ndërkombëtare në situatën aktuale në Aleppo? Pse nuk ka zgjidhje ushtarake?

Nele Matz-Lück: Ai që mund të vepronte më së miri do të ishte Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por masa të tilla për t'i dhënë fund një situate në bazë të kapitullit 7 të Kombeve të Bashkuara nuk mund të merren kundër vetos së njërit prej anëtarëve të përhershëm të KS. Kjo është në këtë rast Rusia.

A nuk ekzistojnë mundësi që megjithatë të mos respektohet vetoja?

Formalisht jo. Kjo do të thotë: një masë e detyrueshme e Këshillit të Sigurimit kundër vetos së njërit prej anëtarëve të përhershëm nuk mund të ekzistojë. Çështja që shtrohet këtu është: a ekziston një ndërhyrje ushtarake humanitare? Që do të thotë një ndërhyrje ushtarake, e cila të mos jetë e autorizuar nga KS i OKB-së, siç ishte rasti i Kosovës atëherë. Nëse e drejta ndërkombëtare e lejon këtë apo jo, kjo vazhdon të jetë edhe më tej shumë e diskutueshme.

Në Kosovë atëherë thanë: "Legale nuk ishte, por ishte legjitime". Të njëjtën situatë ne natyrisht që e kemi edhe në rastin e Aleppos, por meqenëse nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare kjo është kaq e diskutueshme, nuk ndërhyn ushtarakisht për momentin asnjë shtet dhe as një koalicion i të vullnetshmëve. Këtu në fund të fundit mund të ketë vetëm një zgjidhje politike, por për këtë nevojitet Siria dhe Rusia. Një ndërhyrje nga jashtë në këtë moment është thuajse e pamundur.

Tani ne ndodhemi në një situatë, të cilën e njohim. Pas Ruandës, pas Srebrenicës dhe krimeve të tjera mizore thanë: "Një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë", por ja që përsëritet. Ne kemi edhe më tej në dispozicion një arsenal mjetesh - për mendimin tim të pamjaftueshëm. Unë e përjetoj OKB-në edhe më tej si të paaftë për të vepruar dhe këtë paaftësi për të vepruar ne e njohim edhe nga katastrofa të tjera të së kaluarës.

Në njërin prej shumë prej videomesazheve të banorëve të Aleppos, një burrë tha se nuk i beson më bashkësisë ndërkombëtare, pasi ajo vetëm bën sehir si masakrohen njerëzit. A ndodhet OKB-ja në fundin e saj apo nuk mund të presësh më tepër prej saj?

Kam frikë se prej OKB-së nuk mund të presësh më tepër. Përmes strukturave të saj e edhe përmes vetos të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në çështje kaq vendimtare, OKB-ja bllokon veten. Duket pesimiste kjo që po them, por besoj se kemi të bëjmë me një nivel tjetër zero në historinë e Kombeve të Bashkuara dhe të OKB-së, që në Aleppo nuk mund të ndërhyhet në mënyrë të efektshme. Nuk besoj se kemi të bëjmë me një pikë kthese ose me një shkas për ta humbur besimin te OKB. Por ky rast tregon një dobësi themelore të kësaj organizate.