1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alevitët në Turqi në rrugën e njohjes

Senada Sokollu/ Auron Dodi3 Korrik 2013

20 vjet më parë, në një atentat me bomba ndaj një hoteli në qytetin turk Sivas u vranë 33 vetë të besimit alevit. Diskriminimi kundër alevitëve vazhdon ende në Turqi. Tani Erdogani ka sinjalizuar reforma.

https://p.dw.com/p/1910e
Fotografi: AP

Në oborrin e qendrës kulturore, në lagjen e Stambollit Alibey, para disa vitesh u mbollën me dashuri 33 pemë. Secila nga pemët është mbjellë për një prej alevitëve që u vranë në atentatin e Sivas. Kjo ditë ka zënë rrënjë në kujtesën alevitase. "Masakra e vitit 1993 na tregoi: po të mos e ngremë zërin, po të mos organizohemi ne alevitët, atëherë masakra të tilla do të ndodhin shpesh", thotë Hysein Güzelgül në bisedë me DW. Ish-mësuesi është drejtues i Qendrës Kulturore dhe njëkohësisht përfaqësues i fesë alevite, që në gjuhën alevite thirret "Dede".

Në Turqi vlerësohet se jetojnë 15 deri 20 milionë alevitë - Shoqata për Popujt e Kërcënuar beson madje se atje jetojnë 20 milionë vetë. Fenë e tyre ata e shohin si pjesë të fesë islame. Por ndryshe nga sunitët e fesë islame, alevitët falen të enjten, në vend të së premtes, deklaron Güzelgül. Më tej ai deklaron se burrat dhe gratë falen bashkë, jo ndaras nga njëri-tjetri. Veç kësaj, gratë nuk mbajnë shami në kokë.

Për komunitetin e besimit alevit, në Turqi nuk ekzistojnë vende për t'u falur, si kisha apo xhami. Dhomat e faljes i gjen vetëm në qendra të mëdha kulturore, si tek Alibey. Qendrat kulturore ofrojnë veç kësaj mësim gjuhe, muzike dhe teatri.

Hüseyin Güzelgül, përfaqësues i fesë alevite
Hüseyin Güzelgül, përfaqësues i fesë aleviteFotografi: Senada Sokollu

Në 2 korrik 1993, 33 alevitë e humbën jetën në një hotel në qytetin Sivas të Anadollit qendror. Një grup fundamentalistësh i vuri flakën hotelit Madimak, që kishte mbledhur klientë për një festë alevite. Masakra u transmetua live në TV. Para hotelit qenë grumbulluar mijëra sunitë, që përfaqësojnë shumicën e myslimanëve në Turqi dhe që i akuzojnë prej brezash alevitët si heretikë. Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë shumë orë me vonesë, shkaku nuk është sqaruar as sot.

Shumë alevitë janë të zemëruar edhe sot për këtë incident. Por zemërimi i tyre drejtohet edhe ndaj situatës aktuale. Problemi më i madh është se edhe sot alevitët nuk i shohin si qytetarë të barabartë.

Kryeministri turk, Erdogan ka planifikuar tani një paketë reformash, e cila mund të plotësojë kërkesat e alevitëve. Sipas stacionit televiziv shtetëror Haberturk, qeveria ka në plan që fondacionet ekzistuese të alevitëve t'i kthejë në një organizatë të përbashkët. Këtë organizatë çati, shteti turk do ta mbështesë pastaj me subvencione, të cilat do të shtrihen edhe tek organizatat përbërëse. Në universitetin Hitit në qytetin Corum në rajonin e Anadollit do të ngrihet pastaj edhe katedra e parë për "alevitizmin". Klerikë alevitas do të kualifikohen atje dhe do të marrin më vonë edhe një njohje zyrtare si "përfaqësues të besimit". Megjithatë, deri atëherë, alevitët mbeten skeptikë.