1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Franca - Fqinjë me probleme të krahasueshme

Alfred Grosser
6 Shtator 2017

Të dyja shtetet e mëdha fqinje kanë shumë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Prandaj ia vlen t'i hedhësh sytë tek tjetri dhe përpjekja për ta kuptuar njëri-tjetrin, mendon publicisti gjermano-francez, Alfred Grosser.

https://p.dw.com/p/2jOqM
Alfred Grosser
Alfred GrosserFotografi: picture-alliance/dpa

Marrëdhëniet gjermano-franceze janë në gjendje të mirë. Vetëm ekstremistët e akuzojnë Emmanuel Macronin që fluturimin e parë pas fitores në zgjedhje e bëri menjëherë te kancelarja. Kjo në një kohë kur një vizitë e tillë prezantuese ka kohë që është e vetëkuptueshme!

Në Francë e hedhin vështrimin me shumë admirim e edhe me njëfarë zilie drejt Republikës Federale Gjermane. Si ia dalin mbanë ata? Kjo tepricë në eksport, kjo kënaqësi, kjo qetësi në shoqëri, këto shifra pozitive!

Por pikërisht këtu në Francë janë të paktë ata që e dinë se si është puna me politikën e shifrave pozitive në Gjermani. Po, ekziston teprica në buxhet. Po pse nuk përdoret, për të riparuar shkollat, rrugët dhe urat? Në një kohë kur firmat franceze mund të kontribuojnë këtu në një masë të madhe. Masa të tilla do të ishin të mira për Gjermaninë dhe njëkohësisht do të tregonin vullnet të mirë përballë partnerit francez!

Franca do ekonominë sociale të tregut - po Gjermania? 

Ajo që përpiqet të vërë në jetë Macroni në Francë i përgjigjet konceptit gjerman të ekonomisë sociale të tregut. Megjithatë, në Gjermaninë e sotme sillen sikur të ketë rëndësi vetëm ekonomia e tregut të lirë. Sikur në Gjermani të mbizotëronte një liberalizëm i plotë ekonomik - kjo në një kohë kur shteti është vazhdimisht i pranishëm në tregje në formën e federatës, landeve dhe komunave!

Franca kritikohet rregullisht nga fqinji i saj lindor, se shteti këtu ndërhyn gjithmonë në ekonominë e lirë. Po në Gjermani? Kur Air Berlin shpall falimentimin, është i pari shteti gjerman që jep me para taksash një kredi milionëshe. Edhe më keq: në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung të 12 korrikut thuhet nën titullin "Mbrojtje blerjeje për firmat gjermane": "Qeveria gjermane dëshiron të pengojë, që sipërmarrje me rëndësi strategjike të blihen nga investorë të botës së jashtme. Në të ardhmen Federata i rezervon vetes të drejtën e vetos." Nga ana tjetër, po të përpiqet qeveria franceze të bëjë diçka të ngjashme (për shembull si së fundi kur veproi në mënyrë shumë të ngathët me ndërtimin e anijeve), atëherë nga Gjermania vërshojnë kritikat. E ku mbeten parimet e liberalizmit?

Alfred Grosser flet në Bundestag në ceremoninë përkujtimore për Luftën e Parë Botërore, korrik 2014
Alfred Grosser flet në Bundestag në ceremoninë përkujtimore për Luftën e Parë Botërore, korrik 2014Fotografi: picture-alliance/AA/C.Karadag

Franca i ka punët jo mirë - industria e saj me ngadalë po merr tatëpjetën. Në Frankfurter Allgemeine Zeitung të 12 gushtit të binte në sy titulli: "Industria po vdes" - por fjala ishte për industrinë gjermane. Po pse është gjithmonë në rritje Dow Jones? Jo për shkak të asaj që ka ndërmend Trumpi - industrisë së çelikut, të qymyrit dhe të automjeteve - por për shkak të Silicon Valley dhe sipërmarrjeve të saj të mëdha joindustriale.

Demografia - problemi i përbashkët

Gjermania dhe Franca në parim kanë të njëjtat probleme. Sigurisht, në Gjermani e kuptuan më mirë dhe më shpejt, që duhet të rritet mosha e daljes në pension. Sepse dikur njerëzit vdisnin në moshën 75 vjeç - kurse tani kërkohet përkujdesje dinjitoze për qindra - mijëra nëntëdhjetë vjeçarë, së shpejti gjithnjë e më shumë njëqind vjeçarë. Dhe kjo në një kohë kur numri i pakët i lindjeve të fëmijëve paraqitet në Gjermani më keq se në Francë. Kjo temë nuk trajtohet me ndershmëri në fushatën elektorale.

Edhe në Gjermani shumica nuk e dinë se të gjithë qytetarët francezë kanë një Carte Vitale, të cilën vetëm mjafton ta tregojnë në spitalet publike, për t'u trajtuar falas dhe në rast nevoje edhe për t'u operuar. Dhe për t'i marrë me të në farmaci të gjitha medikamentet falas. Deficiti shtetëror francez e ka këtu në një masë të madhe shkakun e tij!

Alfred Grosser i ftuar në televizion gjerman, ARD, maj 2017
Alfred Grosser i ftuar në televizion gjerman, ARD, maj 2017Fotografi: picture-alliance/dpa/K.Schindler

Djathtas dhe majtas - çfarë do të thotë sot?

Në Francë çuditen deri sot për Koalicionin e Madh (të dy partive më të mëdha në pushtet). A nuk ka më asnjë ndarje midis së djathtës dhe së majtës? A janë në Gjermani të gjithë socialdemokratë - duke përfshirë (jo vetëm në sytë e CSU-së) edhe kancelaren? Nga ana tjetër: çfarë përfaqëson Macroni tjetër, përveç se mishërimin e kësaj ndarjeje të kapërcyer? Edhe ai është njëkohësisht i djathtë dhe i majtë.

Që kancelarja të fitojë dhe të mbetet në pushtet, kjo pritet dhe shpresohet në Francë. Për të ardhur keq është kundërkandidati i saj i mjerë, i cili duhet të luftojë kundër një qeverie, ku bën pjesë partia e tij.

Angela Merkel bën pak premtime elektorale dhe askush nuk e di se cilat janë në thelb synimet që i ka caktuar ajo vetes për legjislaturën e ardhshme. Përballë kësaj në Francë ndihet shumë zhgënjim ndaj Macronit, sepse nuk po i vë në jetë planet e tij të mëdha, të shpallura në fushatën elektorale.

Prandaj vështrimi drejt fqinjit mund të jetë për të dyja palët - për Gjermaninë dhe për Francën - me dobi të madhe.