1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei EU Beitritt

Christoph Hasselbach 20 Janar 2009

A janë vërtetë në një linjë Turqia dhe BE-ja në bisedimet për anëtarësimin? Qëndrimi pritës deri në refuzues nga njëra palë është mëse evident.

https://p.dw.com/p/GcY4
Kryeministri tur Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Bruksel 19 janar, 2009.
Kryeministri tur Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Bruksel 19 janar, 2009.Fotografi: AP

Kryeministri turk Erdogan duket gjithnjë e më i zhgënjyer. Për sa i përket synimit të tij të madh për anëtarësimin e plotë të vendit në BE, ai mund të paraqesë një sërë reformash, që pret BE-ja nga Turqia. Dhe në sfondin e grindjes për furnizimet me gaz mes Rusisë dhe Ukrainës, Turqia ka fituar edhe më shumë peshë në politikën energjetike si një alternativë për rrugët e tranzitit.

A nuk mjafton e gjitha kjo për t´i hapur rrugën asaj drejt antarësimit të plotë? Zyrtarisht kjo rrugë është përshkuar prej kohësh. Bisedimet e antarësimit vazhdojnë, kapitull pas kapitulli, siç thuhet në zhargonin e BE-së, është duke u punuar, ndonëse ngadalë, por sidoqoftë puna vazhdon. E megjithatë Erdogani e bashkë me të shumë bashkëatdhetarë të tij e ndiejnë, se BE-ja nuk e do Turqinë si anëtare me të drejta të plota.

Shtypi në Turqi për pranimin e vendit në BE
Shtypi në Turqi për pranimin e vendit në BEFotografi: AP


Disa, ndër të cilët edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e thonë këtë hapur. Por kur Presidenti i Komisionit, Hoze Manuel Barrozo (José Manuel Barroso) në mënyrën e tij ne formë të detyrueshme thotë, që duhet të fitojmë opinionin publik në Evropë për anëtarësimin e Truqisë, kjo është e njëjta gjë. Sepse shumica e qytetareve dhe qytetarëve kanë qëndrim skeptik e refuzues dhe nuk ekziston asnjë shenjë për ndryshimin e opinionit.


Nuk janë vetëm reformat ende të parealizuara, as qëndrimi i dyjëzuar i Ankarasë ndaj anëtarësimit të Qipros në BE, por pengesa është më parimore dhe më e thellë.


Shumë njerëz në vendet më të hershme anëtare kanë përshtypjen, se BE-ja në raundin e zgjerimit të madh në vitin 2004, kur u pranuan dhjetë anëtarë të rinj, e ka tejkaluar masën. Njëkohësisht BE-së i mungon një reformë e brendëshme, për të qëndruar e aftë për veprim, ose për t´u riaftësuar për veprim.


Por edhe kjo nuk i shpjegon të gjitha. Në të vërtetë e gjitha ka të bëjë më shumë me ndjenjën konfuze, që Turqia në aspektin kulturor nuk i përshtatet Evropës. Shumë gjëra në këtë drejtim shihen në kontekstin e fesë islame. Nëse Turqia do të ishte një vend i vogël, situata do të ishte ndryshe. Fjala është për fenë islame dhe pasojat politiko-kulturore të saj, në lidhje me madhësinë e Turqisë.

Flamujtë e BE-së dhe Turqisë
Flamujtë e BE-së dhe TurqisëFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Turqia ka aktualisht mbi 70 milionë banorë. Me popullsinë e saj të re, në një të ardhme të afërt Turqia në aspektin demografik do t´ia kalojë Gjermanisë. Një Turqi si anëtare e BE-së do të ishte si rrjedhojë shteti me popullsinë më të madhe dhe me peshën e vet do të influenconte ndjeshëm politikën e BE-së. Kush mund të garantojë, që Turqia do të mbetet laike? Qysh tani ka tendenca të qarta radikalo-islamike.


Të gjitha këto flasin për një lidhje gjithnjë e më të ngushtë të Turqisë me BE-në, por jo për një antarësim me të drejta të plota. Të përpiqesh ta realizosh një gjë të tillë kundër shumicës së popullsisë evropiane, do të ishte jo vetëm e pakuptimtë, por edhe e rrezikshme. Sidoqoftë, gjithnjë e më shumë politikanë të BE-së, duhet të kenë kurajon që të flasin hapur me Turqinë, sepse nuk do të kishte gjë më deprimuese, se sa të vazhdohen bisedime sa për sy e faqe për dekada me radhë.

(ACA)