1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Andrzej Duda: nga skautist besimtar në president

Elżbieta Stasik6 Gusht 2015

Presidenti i ri i Polonisë është i ri, dinamik e relativisht i panjohur. Por mentori i tij është një person shumë i njohur, konservatori i ashpër Jaroslaw Kaczynski. Më 6 gusht ai bëri betimin si president i Polonisë.

https://p.dw.com/p/1GAvR
Polen Vereidigung des neuen Präsidenten Andrzej Duda
Betimi i presidentit polak Andrzej DudaFotografi: Reuters/Agencja Gazeta/K. Atys

Shënimi i parë në karrierën biografike të Dudës të tërheq vëmendjen: "Në vitin 1984 jam bërë anëtar i skautisëve besimtarë të Krakovit dhe disa vite më vonë u bëra drejtues i grupit." Këtë episod disavjeçar në jetën e tij, Andrzej Duda e përmend shpesh dhe me krenari. Në rregull por a ka kjo kaq rëndësi? Në Poloni po! Jo vetëm në qarqet konservatore ky nocion është një mit, por ai barazohet gati me karakteristika si patriotizmi, ndershmëria, sakrifica. Shumë nga këta besimtarë skautistë dhanë jetën në kryengritjen e Varshavës në vitin 1944 kundër nazistëve, simbolin e rezistencës polake. Ky epos heronjsh jeton deri më sot. Andrzej Duda e përdori këtë strategji për të fituar vota. Votuesit donin një patriot që të kujdesej për ta.

Polen Vereidigung des neuen Präsidenten Andrzej Duda
Fotografi: Reuters/Agencja Gazeta/S. Kaminski

Ngjitje spektakolare

Juristi 43 vjeçar qe shumë i njohur në politikë fillimisht. Para më shumë se një dekade ai u angazhua në Unionin e Lirisë, një parti liberale. Në vitin 2005, vit kur Duda përfundon doktoraturën në Universitetin Jagellionski në Krakov si jurist, ai bëhet anëtar i partisë nacional-konservatore Për të Drejtën dhe Drejtësinë (PiS), dhe ekspert juridik i saj. Pas kësaj një karrierë spektakolare: Zëvendësministër i Drejtësisë, sekretar shteti në zyrën e Lech Kaczynskit. Kjo deri në vitin 2010 kur Lech Kaczynski humb jetën në katastrofën e avionit në Smolensk. Pas zgjedhjes në post të Bronislaw Komorowit, Duda tërhiqet në Krakov, dhe bëhet vetëm deputet dhe zëdhënës i PiS. Në fund të viti 2014 Andrzej Duda paraqitet si kandidat i konservatorëve, bën të ditur lajmin bombastik Kaczynski.

Pro njeriut të vogël

Partia konservatore për të Drejtën dhe Drejtësinë është partia më fortë opozitare në Poloni e themeluar nga vëllezërit Kaczynski në vitin 2001. Ajo e sheh veten si mbrojtëse të Polonisë, përfaqësuese e vegjëlisë kundër megalomanisë së pushtetarëve, dhe e vlerave kristiandemokrate si ndershmëria, dashuria për atdheun, hapja ndaj botës. Kjo parti lufton për shtyllat e shoqërisë si familja, puna, siguria. Për të gjitha këto vlera lufton Andrzej Duda, sipas premtimeve në fushatë. "Polonia nuk duhet ndarë në të varfër dhe të pasur", kërkon ai. Premtimi i tij madh: Riindustrializimi i Polonisë, forcimi i ekonomisë bujqësore, drejtësi sociale. Temat delikate të partisë së tij si homoseksualiteti ai u përpoq t'i prektë me butësi.

Polen: Wahlsieger Andrzej Duda mit Familie nach seinem Triumph
Triumf zgjedhor: Duda rikthen Konservatorët në postin e presidentitFotografi: Reuters

Premtimi skautist

Edhe në temat europiane ai përpiqet të fitojë zemrën e qytetarëve. Për shembull kur vjen fjala për euron. Euro do të futet në Poloni "vetëm kur të gjithë polakët të fitojnë po aq sa njerëzit në perëndim", thotë ai. Andrzej Duda e sheh veten si europian, ai nuk drejton sulme kundër BE-së. Politika e tij: Po Europës, sa kohë që Polonia "bëhet një vend i fortë, i aftë në qendër të Europës së bashkuar."

Fjalë të mëdha, premtime të mëdha. Në të gjitha këto premtime ai përdor fjalën e tij të nderit: "Fjala është e shenjtë për mua", kështu tha ai në fund të fushatës zgjedhore. Edhe gruaja e tij ka theksuar besueshmërinë e tij si partner. Faktet flasin: çifti është i martuar prej 20 vitesh dhe ka një vajzë 20 vjeçare.