1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armëpushim për një ditë - 11 shtatori në fushatën zgjedhore në SHBA

Kristina Bergman11 Shtator 2008

Ditën e 11 shtatorit, fushata zgjedhore u ndërpre në Shtetet e Bashkuara. Të dy kandidatët për presidentë, demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekkein kanë ndaluar fushatën me qëllim që të përkujtojnë viktimat.

https://p.dw.com/p/FFwe
Barak Obama dhe Xhon Mekkein
Barak Obama dhe Xhon MekkeinFotografi: AP Graphics/DW

Lufta kundër terrorizmit është temë e rëndësishme e fushatës zgjedhore të republikanëve. Kjo u bë e qartë edhe në kongresin e partisë në St. Paul. Fjala përshëndetëse e presidentit Xhorxh Bush ishte e shkurtër, por ai prapë rikujtoi: " Ne jetojmë në një botë të rrezikshme, prandaj kemi nevojë për një president, i cili ka nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e 11shtatorit. Duhet të jemi në ofensivë, po qe se duam të mbrojmë Amerikën, të ndalojmë sulmet para se të ndodhin dhe jo të presim deri sa të sulmohemi."

Xhon Mekkeini është personi i duhur për këtë, ka theksuar Bush. Vetë kandidati Mekkein përpiqet të tregohet si një udhëheqës i fortë në fushatën zgjedhore. E shkuara e tij në Vietnam dhe durimi i tij nxirren në pah rregullisht. Xhon Mekkein:

"Ne duhet të përballohemi me shumë rreziqe në këtë botë të rrezikshme. Po unë nuk kam frikë. E di si punon ushtria, se çfarë mund të bëjë, çfarë nuk mundet, çfarë nuk duhet të bëjë. E di si funksionon bota, dhe e njoh të mirën dhe të keqen brenda saj."

Republikanët e ngrenë lart kandidatin e tyre si tepër të aftë në luftë kundër së keqes. Por jo vetëm kaq. Ata ja heqin këtë aftësi kundërshtarit demokrat Obama. Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani:

"Katër ditë me radhë demokratët në kongresin e tyre në Denver kishin frikë të zinin në gojë fjalët "terrorizëm islamist". Më duket se ata besojnë se kjo nuk është korrekte nga ana politike, sikur kanë frikë se mos fyejnë dikë. Por vetëm terroristët do fyenin. Ajo që më shqetëson është se ata shumë pak i përmendën ngjarjet e 11shtatorit. Ata mohojnë kërcënimin më të madh, përballë të cilit gjendet ky vend. Por po qe se ti e mohon atë, nuk mund ta luftosh."

Kandidati demokrat Barak Obama i ka hedhur poshtë këto spekullime muaj më parë, duke bërë të qartë se ai është kundër negociatave pa kushte, për shembull me organizatën palestineze terroriste, Hamas apo qeverinë iranianne. Obama kuzon republikanët se po perpiqen të fitojnë vota duke përhapur panik.

"Ata përpiqen t'ju bëjnë për budallenj. T'ju fusin frikën, ata nuk thonë të vërtetën."

Në fjalimin e tij pas emërimit zyrtar si kandidat i demokratëve, Obama ju përgjigj kështu sulmeve të republikanëve.

"Kur senatori Xhon Mekkein hodhi sytë nga Iraku pak ditë pas ngjarjeve të 11 shtatorit, unë isha kundër, sepse e dija se kjo do të na zhvendsote vëmendjen nga rreziqet e vërteta. Kur Xhon Mekkein tha se duhet të veprojmë në Afganistan, unë isha për atë që të kishim më shumë trupa dhe mjete për të luftuar kundër terroristëve, që na sulmuan në 11 shtator. Unë e kam bërë të qartë se duhet të eliminojmë Osama Bin Ladenin dhe ndihmësit e tij po ta dimë se ku janë."

Shtatë vjet pas atentateve të 11 shtatorit nuk mund ta anashkalosh këtë ngjarje edhe në këtë fushatë zgjedhore.