1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrihet marrëveshja e koalicionit në Gjermani

Richard Fuchs/Eliana Xhani27 Nëntor 2013

Pas një takimi maratonë 18 orësh, konservatorët dhe socialdemokratët gjermanë ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit. Tani duhet të japë miratimin baza e socialdemokratëve.

https://p.dw.com/p/1APGu
Fotografi: JOHN MACDOUGALL/AFP/Getty Images

Pritja e gjatë ia vlejti: në orët e para të mëngjesit të së mërkurës (27.11.2013) partitë e Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratët ranë dakord për marrëveshjen e krijimit të një koalicioni të madh. Marrëveshjes i parapriu një takim maratonë 18-orësh, në të cilin kryetarët e partive Angela Merkel (CDU), Horst Seehofer (CSU) dhe Sigmar Gabriel (SPD) duhej të sqaronin pikat më polemike. Pak para orës 6 të mëngjesit marrëveshja e koalicionit u konfirmua nga 77 pjesëmarrësit në negociata. "U bë", tha një nga negociatorët e CSU-së, Markus Söder, i cili është ministër i Financave në Bavari.

Marrëveshje për pagën dysheme dhe shtetësinë

Tani janë përcaktuar linjat kryesore të një politike qeveritare të koalicionit mes konservatorëve dhe socialdemokratëve për katër vitet e ardhshme, i treti i këtij lloji në historinë e Republikës Federale. Si CDU, CSU ashtu dhe SPD u shprehën të bindur se marrëveshja e koalicioni mban "firmën" e tyre. Çështje të polemizuara për javë me radhë duket sikur janë sheshuar të paktën përkohësisht: kështu koalicioni i ardhshëm qeveritar do të vendosë vërtetë pagën dysheme prej 8,5 euro nga janari 2015, që ishte dhe një nga pikat e polemizuara më gjatë. Megjithatë do të ketë edhe një kohë kalimtare ku palët mund të arrijnë edhe marrëveshje për paga më të ulëta. Këtu socialdemokratët kanë arritur të fusin në marrëveshje kërkesat e tyre, të paktën në pjesën më të madhe.

Palët ranë dakord edhe për ndryshime në politikën e pensioneve: Unioni dhe SPD duan të punojnë për përmirësimin e pensioneve për nënat me fëmijë dhe vitet e pensionit. Kështu në të ardhmen do të marrin pension më të lartë nënat që i kanë lindur fëmijët para vitit 1992. Më tej do të ketë një "pension solidar për përballimin e jetesës" për shtresat e ulëta të të ardhurave. Ky do të jetë deri në 850 euro në muaj nga viti 2017. Partitë në koalicion pjesërisht largim nga mosha e pensionit që aktualisht është 67 vjeç. Qytetarët të cilët kanë derdhur të paktën 45 vite kontribute në arkat e pensioneve mund të dalin në pension me pension të plotë edhe para moshës 67 vjeç. Në këtë pikë janë plotësuar kërkesat e Unionit dhe SPD-së për politikën e pensioneve.

Partitë ranë dakord edhe për vendosjen e një takse rrugore për automjetet, e cila duhet të rregullohet me një ligj në vitin 2014. Kjo ishte një kërkesë qëndrore në fushatën elektorale e partisë më të vogël në koalicion CSU.

Kompromis u arrit edhe në fushën e legjislacionit për nënshtetësinë: sipas tij fëmijë të lindur në Gjermani nga prindër të huaj në të ardhmen nuk duhet të vendosin deri në moshën 23 vjeç se cilën nga dy nënshtetësitë do të mbajnë. Kjo ishte një nga kërkesat qendrore të SPD-së. E hapur mbetet megjithatë nëse kompromisi është edhe një heqje e përgjithshme e shtetësisë së dyfishtë. Sekretari i përgjithshëm i CSU-së Alexander Dobrindt theksoi pa vonesë për shtypin se marrja fund e detyrimit për të zgjedhur, për të rinjtë e lindur në Gjermani, nuk shoqërohet nga një heqje e përgjithshme e shtetësisë së dyfishtë.

Große Koalition CDU und SPD einigen sich 27. Nov. 2013 Dobrindt und Gröhe
Alexander Dobrindt (CSU) me koleget e tij nga unioni CDUFotografi: Reuters

Fjalën e fundit e ka baza e SPD-së

Marrëveshja e koalicionit parashikon kështu shpenzime më të larta buxhetore, para së gjithash në sektorin e shërbimeve sociale. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Hermann Gröhe theksoi megjithatë se në bazë të marrëveshjes së arritur nuk do të ketë rritje taksash.

Koalicioni i ardhshëm megjithatë nuk e ka kaluar pengesën e fundit. Pasi SPD do t'ia paraqesë marrëveshjen për miratim 470.000 anëtarëve të saj. Vetëm nëse ata do ta miratojnë me shumicë marrëveshjen në gjysmën e parë të dhjetorit, qeveria e re mund të fillojë nga puna. Sekretarja e Përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles u shpreh optimiste pas mbylljes me sukses të negociatave, se baza e partisë do ta miratojë marrëveshjen e arritur. Eksperti për shëndetësinë në SPD Karl Lauterbach deklaroi se "Paketa e përgjithshme është aq socialdemokrate sa duhet t'u këshillojmë anëtarëve miratimin e saj.“

Große Koalition CDU und SPD einigen sich 27. Nov. 2013 Nahles
Andrea Nahles(SPD) jep mesazhin e suksesit të bisedimeve, sot herët në mengjes, 27.11.2013Fotografi: JOHANNES EISELE/AFP/Getty Images

Në respekt të votës së bazës në SPD, ndarja e ministrive dhe e posteve ministrore është shtyrë, njoftojnë agjencitë e lajmeve. E sigurt është se në një qeveri nën drejtimin e Kancelares Merkel socialdemokratët do të marrin gjashtë ministri, CDU pesë ministri dhe CSU tri ministri. Nëse baza e SPD miraton marrëveshjen, në 17 dhjetor Angela Merkel mund të rizgjidhet Kancelare në Bundestag.