1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë qeveri për Greqinë në horizont

Reinhard Baumgarten / Eliana Xhani12 Maj 2012

Në Greqi dështoi edhe përpjekja e tretë për krijimin e një qeverie. Të majtët radikalë kundërshtuan krijimin e një aleance të gjerë qeverisëse. Ekonomia greke ka kritikuar procesin e negociatave për qeverinë.

https://p.dw.com/p/14uHv
Dështoi në negociatat për krijimin e qeverisë - Kryetari i socialistëve grekë, Evangelos Venizelos
Dështoi në negociatat për krijimin e qeverisë - Kryetari i socialistëve grekë, Evangelos VenizelosFotografi: picture-alliance/dpa

Të majtët radikalë grekë nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në një koalicion qeverisës. Pika themelore problematike vazhdon të jetë programi i kursimeve i miratuar nga koalicioni i madh nën kryeministrin Papademos. "Populli e hodhi poshtë këtë program kursimesh dhe asnjë qeveri nuk mund ta vazhdojë", tha kryetari i të majtëve radikalë Aleksis Cipras, pas negociatave të dështuara me kryetarin e socialistëve grekë, Evangelos Venizelos. Cipras kërkon kthimin mbrapsht të të gjitha masave të kursimeve, por qendrimi i ngurtë i 37- vjeçarit kritikohet ashpër nga politika dhe ekonomia.

Shefi i Dhomës greke të Industrisë dhe Tregtisë, Konstantin Mihalos, e akuzon Cipras-in si jorealist: "Për fat të keq zoti Cipras mbështetet më shumë tek populizmi se sa tek realiteti. Ai duhet të shohë situatën reale pasi pas këtyre zgjedhjeve drejton grupin më të rëndësishëm opozitar. Ai duhet të dëshmojë një masë të arsyeshme përgjegjësie në trajtimin e temave kritike për Greqinë."

"Deri në zgjedhjet në qershor vendi mund të jetë shkatërruar!"

Shanset për krijimin e një qeverie koalicioni janë tashmë minimale. Kryetari i socialistëve Venizelos, shprehu keqardhje për qendrimin e të majtëve radikalë dhe deklaroi, se do të dorëzojë mandatin për krijimin e qeverisë. Sipas kushtetutës greke presidenti Karolos Papulias, do të zhvillojë bisedimet e fundit me kryetarët e të gjitha partive me objektiv krijimin e një qeverie. Constantine Mihalos është skeptik: "Gjatë kësaj fundjave kritike nën drejtimin e presidentit Papulias duhet të arrihet krijimi i një koalicioni qeverisës. Ndryshe druaj se në 10 ose 17 qershor do të kemi zgjedhje të reja, por deri atëherë vendi mund të jetë shkatërruar."

Përpara negociatave të vështira - Presidenti Papulias dhe kryetari i të majtëve radikalë, Alexis Tsipras.
Përpara negociatave të vështira - Presidenti Papulias dhe kryetari i të majtëve radikalë, Alexis Tsipras.Fotografi: AP

Përpjekjet e mëparshme të konservatorëve dhe radikalëve të majtë për krijimin e një qeveria dështuan ditët e kaluara. Greqisë i nevojitet urgjentisht një qeveri e aftë për të vepruar e cila të angazhohet se do të zbatojë masat e kursimeve dhe reformat e miratuara. Ndryshe janë në pikëpyetje të fortë ndihmat e mëtejshme nga BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendi kërcënohet nga falimentimi deri në fund të qershorit.

Dalja nga Eurozona mund të ketë pasoja shkatërrimtare

Paraliza në politikën greke shton edhe rrezikun e përjashtimit të Greqisë nga Eurozona, shpreh shqetësim shefi i Dhomës së Tregtisë greke Mihalos. "Deri para dy vjetësh Greqia kishte ende mjete për të vepruar kundër një dalje të mundshme nga Eurozona. Tani s'ka më. Marrëveshja e dytë për reduktimin e borxheve ia ka lidhur duart Greqisë pasi bazohen në të drejtën britanike."

Reagimet e tregjeve financiare tregojnë se ato llogarisin me një dalje të Greqisë nga Eurozona. Të gjitha këto janë shumë shqetësuese. Në një rast të tillë Greqia duhej të rikthehej tek dhramia. Pasojat e daljes nga unioni monetar pritet të kenë pasoja shkatërrimtare në ekonominë dhe financat e Greqisë.