1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atmosfera për refugjatët në Europën Lindore

Christoph Hasselbach10 Janar 2016

Qeveritë e vendeve europianolindore e qendrore kanë bërë bllokadë të hershme kundër pranimit të refugjatëve myslimanë para ngjarjes së Këlnit, ku pati ngacmime seksuale masive. Tani ata thonë se paskan pasur të drejtë.

https://p.dw.com/p/1HafI
Slovakei Premier Robert Fico
Kryeministri sllovak, Robert FicoFotografi: picture-alliance/dpa/S. Lecocq

Si Polonia, Hungaria, Çekia apo Sllovakia - qeveritë e këtyre vendeve por edhe shtypi i tyre e vlerëson pas ngjarjeve të Këlnit, pak a shumë kështu: Dihej që do ndodhte ajo që ndodhi në Këln. Më pa doreza u shpreh kryeministri sllovak, Robert Fico, ndoshta edhe pse se synon të ruajë shumicën parlamentare të partisë socialdemokrate në zgjedhjet e parashikuara për më 5 mars. „Menjëherë sapo hyjnë emigrantë në vend mund të përballesh me probleme të tilla“, tha Fico të enjten para gazetarëve. “Ne nuk duam që kjo të ndodhë tek ne.”

Fico e sheh problemin para së gjithash tek myslimanët: Konkluzioni i tij: Më së miri ata nuk duhet lejuar të hyjnë në vend. Ficon e mbështesin mediat sllovake, disi e çuditshme por edhe faqet e shtypit liberal të majtë.

"Altruistë naivë"

Gazeta „Sme“ konstaton tek Gjermania një naivitet të përhapur. “Kriza e migracionit ka çuar në krijimin e një subkulture altruistësh qëllimmirë, të cilët i kushtojnë kaq kohë e vëmendje të ardhurve, sikur duan të besojnë se vuajtja e mëparshme i ka ngritur këta të ardhur në një nivel moral më të lartë.”

Ndërsa gazeta sllovake “Pravda” paralajmëron për gabimin e të gjykuarit të përgjithësuar të burrave myslimanë, pra fajësimi kolektiv, por shton se po bëhet gjithnjë e më e vështirë mbrojtja e këtij qëndrimi. “Debati se çfarë do të thotë për shoqëritë europiane integrimi i një numri kaq të madh refugjatësh nuk ishte i lehtë edhe para ngjarjeve në natën e Vitit të Ri në Këln. Por tani këtij i janë shtuar tone të tjera të pakëndshme e provokuese.”

Deutschland Flüchtlinge in Berlin LaGeSo
Fotografi: picture alliance/NurPhoto/M. Heine

Edhe qeveria nacionalkonservatore polake. Kryeministrja Beata Szydlo mbi ngjarjen e Këlnit tha se „ajo që ndodhi në Gjermani, tregon se problemet janë më serioze se sa duan të besojnë udhëheqësit europianë.“

Jo hapësira ku nuk vepron ligji

Në Çeki si kryeministri aktual Milos Zeman ashtu edhe paraardhësi i tij, Vaclav Klaus janë shprehur disa herë kundër refugjatëve. Zeman pretendoi para pak ditësh se „besoj se invazioni po përgatitet nga Vëllazëria Myslimane-me mjetet e një sërë vendesh.“ Me këtë sipas tij Vëllazëria Myslimane „kërkon të kontrollojë hap pas hapi Europën.“

Ndërsa gazeta konservatore çeke "Lidove noviny" sheh një lidhje të drejtpërdrejtë me Këlnin: “Ngjarjet e Natës së Vitit të Ri ofrojnë deri më tani argumentin më të fortë për rritjen e kujdesit në lidhje me pranimin e migrantëve. Deri më tani na thuhej se zonat e ndaluara „No-go“ janë thjesht shpikje. Tani ministri gjerman i Drejtësisë Maas thotë: ‘Nuk duhet të krijohen hapësira ku nuk vepron ligji.' Po lufton ai me një rrezik joekzistent apo ka pranuar me këtë seriozitetin e problemeve?”

Një nga komentet më të ashpra për Këlnin dhe sidomos për raportimin gjerman e sjell gazeta hungareze „Magyar Idök“ në numrin e së premtes. „Imazhi naiv i familjeve që marrin arratinë nga lufta dhe mjerimi do të ishte tronditur thellësisht, nëse do të ishte vendosur një lidhje e drejtpërdrejtë në Natën e Vitit të Ri me sheshin e Këlnit. Falë „korrektesës politike“ të gazetarëve gjermanë kjo u mbulua. Ata kanë krijuar një „Stasi mediatik“, që vrojton diktaturën e mendimit.“

Tschechien Milos Zeman Staatspräsident
Presidenti çek, Vaclav KlausFotografi: picture-alliance/AP Photo/P.D. Josek

Harrojeni tani shpërndarjen e refugjatëve

Një gjë dihet: Hendeku për politikën e refugjatëve në Europë është thelluar më shumë pas ngjarjeve në Këln. Kjo vlen edhe për bashkëpunimin për të shpërndarë refugjatët brenda Europës. Në vjeshtë ministrat e Brendshëm ranë dakord për të shpërndarë 160.000 refugjatë. Rumania, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia u mundën me votë. Këto vende refuzojnë kategorikisht kuotat fikse. Sllovakia dhe më vonë Hungaria dorëzuan padinë në Gjykatën Europiane. Por edhe vende të tjera nuk janë entuziaste. Nga 160.000 refugjatët që duhet të shpërndahen nga Italia e Greqia, vetëm pak qindra kanë gjetur një strehë të re në vendet e BE-së.

Por një gjest i kryeministrit sllovak Fico e tregon më së miri atmosferën në Europën Lindore e Qendrore. Ai jo vetëm që nuk dëshiron pranimin e refugjatëve, por ai nuk do më të dorëzojë fonde për krizën humanitare të refugjatëve. Mjetet duhet të shkojnë në drejtim të mbrojtjes: “Ndihmat financiare për zgjidhjen e problemit të refugjatëve ne do t'i riorientojmë në drejtim të mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Shengenit. Vetëm kështu mund të ndalen karvanet e pakontrolluara të refugjatëve.” Sllovakia vetë nuk ka pse të shqetësohet. Përgjatë 2015-s aplikuan për azil vetëm 169 vetë në këtë vend. 8 prej tyre morën azil – se sa myslimanë janë tek kjo tetëshe nuk dihet.