1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020611 Anschlag Afghanistan

2 Qershor 2011

Në veri të Afganistanit është vrarë një tjetër ushtar gjerman në një atentat me mjet shpërthyes. Komanda drejtuese e misionit në Potsdam bëri të ditur se atentati ndodhi të enjten (2.6.) në provincën Baghlan.

https://p.dw.com/p/11T2m
Ushtarë të Bundesverit në Kundus, Afganistan.
Fotografi: picture alliance/dpa

Ende nuk është mbushur java qëkurse ushtarët gjermanë ranë viktima të një atentati të pashembullt në veri të Afganistanit. Tani talibanët e kanë vënë sërish në shënjestër Bundesverin: skena e atentatit është provinca Baghlan, në jug të Kundusit, e cila vitet e kaluara është kthyer gjithnjë e më shumë në një zonë rreziku për gjermanët.

Të enjten (2.6.) në mëngjes rreth orës 10:00 sipas orës lokale, ndaj trupave gjermane në Afganistan u krye një atentat, konfirmoi Bundesveri. Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Baghlan tha se sipas informacioneve të para rreth ngjarjes, duket se atentati është kryer me një eksploziv të fshehur në buzë të rrugës:

„Trupat e huaja, të stacionuara në Baghlan, ishin drejtuar për në rajonin Gadeya. Kur kanë arritur në rajonin Amarkhel, mjeti me të cilin udhëtonin u godit nga një shpërthimi i një bombe në buzë të rrugës. Këto janë informacionet që kam marrë nga forcat e sigurisë."

Sipas të dhënave të para, fjala është për një tank të Bundesverit të tipit Marder. Talibani mori menjëherë pas ngjarjes përgjegjësinë për antentatin. Eksplozivët e fshehur, të ashtuquajturit IED, janë kthyer në një armë vdekjeprurëse në duart e ekstremistëve, pasi është shumë e vështirë të dallohen me sy të lirë dhe për këtë arsye shumë të vështira të zbulohen gjatë patrullimeve.

Pamje nga skena e atentatit kundër Bundesverit në Talokan.
Pamje nga skena e atentatit kundër Bundesverit në Talokan.Fotografi: AP

Të shtunën e kaluar (28.6.) si pasojë e një shpërthimi në territorin e rezidencës së governatorit në Talokan, u vranë dy ushtarë të Bundesverit. Komandanti rajonal gjerman për veriun e Afganistanit, Markus Kneip, i cili merrte pjesë në një takim të nivelit të lartë në Talokan, u plagos lehtë në atentat. Hetimet e para të kryera nga shërbimi i fshehtë afganas dhe nga trupa mbrojtëse për Afganistanin ISAF tregojnë se atentati ishte kryer me një bombë të vendosur në rezindencën e guvernatorit. Fillimisht ishte menduar se një atentator vetëvrasës me uniformë të policisë afgane, kishte hehdur veten në erë në përfundim të takimit.

Ndërkohë që situata që provincën Kundus ështe përmirësuar dukshëm gjatë muajve të dimrit dhe talibanët janë dëbuar nga shumë zona të provincës, të cilat i kishin më parë nën kontroll, njoftimet nga provincat fqinje janë tejet shqetësuese. Në fillim të shkurtit në provincën Baghlan një ushtar afgan pati hapur zjarr në një kamp të Bundesverit dhe pati vrarë tre ushtarë gjermanë.

Autor: Kai Küstner / E.Xhani

Redaktoi: A. Dodi