1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për faljen e borxhit Greqisë

30 Janar 2012

Greqia proteston kundër nismës gjermane, sipas së cilës Athina në këmbim të ndihmave të mëtejshme financare duhet t'ia kalojë institucioneve europiane të drejtat e buxhetit.

https://p.dw.com/p/13sd9
Bisedimet për faljen e borxhit Greqisë
Bisedimet për faljen e borxhit GreqisëFotografi: picture-alliance/dpa

A duhet t'i vihet në krye qeverisë greke një komisar i BE-së për kursimet, i cili të ketë fjalën e fundit për çështjet financiare, madje të mund të bllokojë vendimet e parlamentit grek?

Gazetat greke të se dielës reaguan të indinjuara ndaj këtij propozimi, që me sa duket është përpiluar në Berlin. Si rrjedhojë indinjata drejtohet kryesisht ndaj qeverisë gjermane: "Merkel kërkon kapitullim pa kushte", është ky titulli i gazetës "To Vima". Një komentator televizioni madje arriti deri aty sa të shprehet, se tani Berlini do të dërgojë "drejtuesin rajonal" (si në kohën e NSDAP-së) në Greqi.

Politikanët: Buxheti dhe financat çështje sovraniteti kombëtar

Më pak të indinjuar, por me tone refuzuese, shprehen politikanët drejtues në Greqi: Jo - kjo është një çështje e sovranitetit kombëtar, duhet të vendosim vetë për buxhetin dhe për financat e shtetit. Për të tilla propozime nuk diskutojmë.

Ministri i Fnancave, Evangelos Venizelos, as që u prononcua lidhur me propozimin për një komisar të kursimeve. Ai është përqëndruar tek bisedimet me kreditorët. Pas bisedimeve të shtunën (28.01) me kreditorët privatë ai deklaroi: "Javën e ardhshme ne do ta kemi përfunduar çështjen e faljes së borxhit. Paralelisht ne po diskutojmë për paketën e re të shpëtimit dhe kreditë e reja të ndihmës."

Evangelos Venizelos, ministri grek i Financave
Evangelos Venizelos, ministri grek i FinancaveFotografi: dapd

Edhe drejtuesi i bisedimeve për bankat dhe kreditues të tjerë, Charles Dallara, u shpreh optimist. Sipas tij krediorët privatë do të heqin dorë prej gjysmës së parave, që u ka borxh atyre Greqia. Për pjesën tjetër të borxheve, rreth 100 miliardë euro, është duke u negociuar për një interes nën 4%.

Paralelisht Greqia po negocion për një paketë të dytë ndihme me BE-në, Bankën Qendrore Europiane dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo paketë fillimisht duhej të kishte një volum prej 130 miliardë eurosh. Por ka gjasa, që Greqisë do t'i duhen më shumë kredi. Sidoqoftë vendi duhet të kursejë edhe më shumë, gjë që i dëshpëron qytetarët: "Eshtë e tmershme. Kudo po bëhen shkurtime. Ne vetëm po na zhvasin. Asgjë nuk na japin. Çfarë do të mbetet?", thotë një qytetare.

Venizelos: Ditët e ardhshme vendimtare për dhjetëvjeçarin e ardhshëm

Ministri i Financave Venizelos është në dijeni për këto shqetësime. Ndaj ai përpiqet që t'i qetësoje qytetarët duke iu drejtuar njëkohësisht grekëve me apele për durim dhe për një kurs të mëtejshëm kursimesh. "Ne nuk duhet të bëjmë atë, që mund ta përkeqësojë recesionin. Ne duhet të bëjmë ç'është e mundur, që të kemi sërish rritje ekonomike. Ditët e ardhshme do të vendosen piketat për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Ajo që po ndodh tani, ka rëndësi historike. Për këtë ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë."

Autor: Thomas Bormann / V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: A Verbica