1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet më të larta të Kosovës nën presion nga bashkësia ndërkombëtare që ta pranojnë planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Bekim Shehu11 Nëntor 2008

Autoritet e Prishtinës kanë edhe dy ditë kohë që ta analizojnë në detaje dokumentin e ofruar nga OKB dhe që kur të mblidhet KS-i të arrihet kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare dhe EULEX të vendoset në Kosovë.

https://p.dw.com/p/FruJ
Ushtar gjerman në Kosovë
Ushtar gjerman në KosovëFotografi: DW/picture-alliance/dpa

Analistët thonë se kërkesa që EULEX të ketë status neutral në Kosovë shënon moszbatim të pakos së Marti Ahtisarit dhe fuqizon strukturat paralele në Kosovë.

Autoritetet më të larta të Kosovës ndodhën në presion nga bashkësia ndërkombëtare që ta pranojnë planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në mënyrë që të mundësohet pa shtyrje, shtrirja e misonit EULEX në Kosovë. Nga ana tjetër partitë politike opozitare në Kosovë, thonë se institucionet e Kosovës nuk duhet të zbrapsen nga qëndrimi i tyre dhe nuk duhet të pranojnë kurrfarë kushtesh pos zbatimit të planit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari.

Prishtina zyrtare hodhi poshtë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që sistemi doganor i veriut të Kosovës, policia serbe, gjyqësia, trashigimia kulturore e fetare dhe vijat administrative të komunave serbe, të kenë status të veçantë dhe të jenë pjesë e bisedave të vazhdueshme me Beogradin në mënyrë që në të ardhmën të gjendet një zgjidhje afatgjate. Prishtina zyrtare u përgjigj duke thënë se me Beogradin mund të bisedohen këto çëshje, por vetëm nëse OKB-ja garanton tërësinë teritoriale të Kosovës, respekton Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Marti Ahtisarit.

Analistët nga ana e tyre thonë se ky qëndim i Prishtinës është i drejtë dhe sipas tyre udhëheqësit politik kosovar nuk duhet të bëjnë kompromise tjera. Sidoqoftë, autoritet e Prishtinës kanë edhe dy ditë kohë që ta analizojnë me në detaje dokumentin e ofruar nga Kombet e Bashkuara në mënyrë që deri në fund të javës kur është paraparë të mblidhet KS-it të arrihet kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare.

Zëdhënësja e shefit të diplomacisë evropiane, Kristina Gajak, tha se BE-ja nuk dëshiron që të ketë shtyrje të vendosjes së misionit EULEX, prandaj pret nga Prishtina zyrtare që ta pranojë planin e Kombeve të Bashkuara me shpresën që në fund të javës misioni EULEX të marrë mbështetjen e KS-it.