1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet marrin masa kundër efekteve të motit të keq

Arben Muka3 Janar 2008

Helikopterë në gatishmëri për t'u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e bllokuara

https://p.dw.com/p/Cjis
Pastrim i rrugëve nga bora
Pastrim i rrugëve nga boraFotografi: AP

Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar që të gjithë helikopterët e ministrive të shëndetësisë, të mbrojtjes, dhe të ministrisë së brendshme të jenë në gatishmëri për t'u ardhur në ndihmë banorëve dhe autoriteteve lokale në zonat e bllokuara dhe të izoluara nga dëbora e ngricat.

Ulja e temperaturave, rreshjet e dëborës dhe ngricat janë shkaku që disa komuna dhe fshatra në Shqipëri po hasin vështirësi serioze për izolimin nga bllokimi i rrugëve. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thotë se “sektori i emergjencave në institucion ka qënë gjatë 72 orëve të fundit në kontakt non stop me të 12 prefektët e qarqeve te vendit, dhe autoritetet e tjera lokale, veçanërisht ata të zonave më problematike dhe situata është nën kontroll”. Ministri shpjegon se qysh më përpara janë marrë masa për sigurimin e ushqimeve ne depot e rezervave të shtetit, për t'i përdorur ato në komuna e fshatra që izolohen për shkak të borës dhe ngricave.

Gjatë një takimi që ka patur me drejtues e ekspertë të institucioneve të linjës kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që mjetet e fluturimit të jenë në gatishmëri dhe në shërbim të banorëve që kanë nevojë për shërbim mjekësor, apo për ushqime e veshmbathje, për transportin e ekipeve te emergjencës etj.

Gjithashtu Ministria e Tranpsorteve e mbështetur nga mjetet e rënda të Ministrisë së Mbrojtjes do të kujdesen për operacionet e mirëmbajtjes dhe të hapjes së rrugëve të bllokuara nga bora dhe ngrica. Sipas ministrit të Brendshëm Bujar Nishani akset e rrugëve kryesore në të gjithë territorin e vendit janë të lira, por rrugët dytësore dhe ato rurale në disa komuna, kryesisht në zonën verilindore, në Pukë, Dibër, Kukës etj., janë të bllokuara dhe të pakalueshme jo vetëm nga automjetet, por dhe këmbësorët.