1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bajram Rexhepi: Në Kosovë nuk ka hapësirë për aktivitete terroriste

3 Mars 2011

Në një intervistë për Deutsche Wellen, ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi dënon ashpër sulmin e një personi me origjinë kosovare ndaj ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit.

https://p.dw.com/p/10T2K

Deutsche Welle: Tani më duket e qartë që sulmin kundër trupave amerikane në Frankfurt e ka kryer një person me origjinë kosovare. Si i komentoni Ju këto të dhëna?

Bajram Rexhepi: Ky është një sulm makabër me epilog tragjik. Nuk dua të paragjykojmë se a ka pasur primesa të terrorizmit apo jo, por kjo i ka prekur thellë të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse SHBA ishin ato që na ndihmuan më së shumti në momentet më të vështira. Në Parlamentin e Kosovës kemi mbajtur sot një minut heshtje, në Prishtinë dhe Mitrovicë qytetarët kanë dalur dhe kanë ndezur qirinj në shenjë respekti për viktimat dhe të plagosurit.

Deutsche Welle: Zoti ministër, Prokuroria federale gjermane ka kumtuar ndërkohë se fjala është për një sulm me motive islamike. Janë duke u bërë hetime në këtë drejtim edhe në Kosovë prej nga është me origjinë i dyshuari?

Bajram Rexhepi: Natyrisht që edhe ne në Kosovë po bëjmë hetime, sepse duhet të dihet motivi i sulmit. Policia jonë bashkë me miqët tjerë të inteligjencës janë duke hetuar nëse ka pasur ndonjë lidhje me Kosovën. Sipas informatave të para, personi e ka origjinën nga një fshat i Mitrovicës, por është i lindur në Gjermani dhe duhet të shikohen nëse ka pasur ndonjë lidhje me ndonjë grup fundamentalist vehabist në Kosovë apo diku tjetër. Ne duam t'i hulumtojmë këto gjëra dhe të vimë deri tek motivi i vërtetë.

Deutsche Welle: Zoti ministër, a keni të dhëna eventuale për infiltrimin eventual të grupeve ekstremiste në Kosovë?

Bajram Rexhepi: Po ne kemi grupe të caktuara që kanë primesa vehabiste dhe ne provojmë t'i hulumtojmë nëse ato janë larg islamit laik që ne e praktikojmë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar që të kemi grupe të tilla dhe nëse ata i shkelin liritë fetare, me siguri që nuk do të gjejnë vend për veprim në Kosovë. Por ka grupe të caktuara të cilat mund të kenë lidhje me grupe jashtë Kosovës.

Deutsche Welle: Sa janë nën kontroll këto grupe dhe e kërcënon rreziku i sulmeve terroriste ndaj trupave ndërkombëtare në Kosovë?

Bajram Rexhepi: Teorikisht një mundësi e tillë ekziston gjithnjë, mirëpo deri tash nuk kemi pasur sulme. Mendoj se jo vetëm institucionet, por as qytetarët nuk lejojnë gjëra të tilla. A janë komplet nën kontroll? Nuk janë komplet nën kontroll. Ne përpiqemi t'i vëzhgojmë ato dhe të parandalojmë çfarëdo tentimi eventual për ndonjë sulm. Pa një shërbim të mirëfilltë inteligjent, një kontroll i tillë është shumë i vështirë. Por ne po përpiqemi që me kapacitetet që i kemi dhe me ndihmën e shërbimeve tjera, të mos lejojmë që në Kosovë të ndodhë një gjë e tillë. Ne kemi edhe njësitë e specializuara për luftë kundër terrorizmit të cilat poashtu përpiqen që të pamundësojnë krijimin e hapësirës për aktivitete të tilla.

Deustche Welle: Sa ofron Kosova në këtë moment hapësirë për grupet etkstremiste dhe fundamentaliste, të cilat mund të kryejnë sulme eventuale terroriste?

Bajram Rexhepi: Kosova nuk është vend që lejon hapsirë të tillë. Jo vetëm institucionet do t'i luftojmë me të gjitha mjetet demokratike fenomenet e këtilla, por edhe vetë qytetarët nuk kanë prirje për gjëra të tilla. Ata mund të tentojnë por me siguri që nuk do të mund të stabilizohen këtu dhe të kryejnë aktivitete të këtilla.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama