1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ban Ki Mun: Të mos zhagitet zgjidhja e statusit të Kosovës

Bahri Cani1 Janar 2008

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së paraqiti raportin e tij të rregullt për Kosovën, ku thotë se status-kuoja është e paqëndrueshme. Vazhdimi i gjendjes së tanishme do të cënonte sigurinë në Kosovë dhe rajon.

https://p.dw.com/p/CiiM
Ban Ki MoonFotografi: AP

Ban Ki Mun pohon se zvarritja e zgjidhjes së statusit mund ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe mund të cënojë të gjitha arritjet e deritanishme të OKB-së. Në raportin më të ri për Kosovën, sekretari i përgjithshëm i organizatës botërore thekson se pritjet e kosovarëve për arritjen e shpejtë të pavarsisë janë shtuar.

"Status-kuoja është e paqëndrueshme. Në qoftë se mbetet gjendja e tanishme, zhvillimet mund të marrin impulse të tjera dhe të rrezikojnë seriozisht të gjitha ato që OKB-ja ka arritur deri tani në Kosovë. Prandaj, vazhdimi i procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet të jenë prioritet i Këshilli i Sigurimit dhe i bashkësisë ndërkombëtare", theksoi Ban Ki Mun.

Në raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, rikujtohet se në dhjetor kanë dështuar bisedimet e udhëhequra nga trojka ndërkombëtare për kompromis mes palës serbe dhe asaj kosovare.

Humbja e dinamikës për zgjidhjen e statusit të Kosovës mund të cënojë stabilitetin e tërë rajonit

Ban Ki Mun paralajmëron se humbja eventuale e dinamikës për zgjidhjen e statusit, mund të cënojë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe tërë rajonit. Kjo paraqet një burim rreziku edhe për autoritetet e OKB-së në Kosovë, nënvizon sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili i bën thirrje shqiptarëve dhe serbëve që të përmbahen nga të gjitha aktet e dhunës. Në këtë aspekt, ai shpreson se palët do t'u përmbahen premtimeve të dhëna gjatë bisedimeve të fundit katërmujore.

Ban Ki Mun i referohet edhe pjesëmarrjes "dëshpruese të vogël" të serbëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale në Kosovë. Si shkak për pjesëmarrjen kaq të ulët në raport nënvizohet frikësimi i votuesve pas thirrjeve të Beogradit për bojkotimin e zgjedhjeve. Ban Ki Mun thekson se disa parti serbe kanë marrë pjesë në zgjedhje, por kjo nuk do të thotë se ka ndryshuar mendimi i përgjithshëm i serbëve për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Ky raport do të debatohet gjatë janarit edhe në KS të OKB-së.