1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim ndërkufitar Maqedoni- Kosovë

6 Gusht 2011

Maqedonia dhe Kosova konkretizojnë bashkëpunimin ndërkufitar në kuadër të projekteve të BE-së. 600 mijë euro do të jepen për ndërtimin e ndërtesës së përbashkët të shërbimeve doganore në pikën kufitare Bellanoc-Stançiq.

https://p.dw.com/p/12C8e
DW-Montage
Flaggen Kosovo und Mazedonien

Përfaqësues të qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e objektit të përbashkët doganor në vendkalimin kufitar Bellanoc-Stançiq. Mjetet financiare prej 600 mijë eurosh për ndërtimin e tij janë të akorduara nga Komisioni Evropian ndërsa do të ndahen përmes programit IPA për bashkëpunimin ndërkufitar mes dy vendeve fqinje. Sipas kësaj marrëveshjeje Maqedonia gjithashtu duhet të asfaltojë edhe rrugën që shpie drejt këtij kalimi kufitar, pasi nga ana e Kosovës rruga deri në Stançiq është e asfaltuar.

Qeveritë e të dyjave vendeve vlerësuan se bëhet fjalë për një projekt strategjik, që ka rëndësi të madhe për lidhjen ekonomike të të dyja vendeve. Pala maqedonase e konsideron këtë projekt si pjesë e angazhimit për të depërtuar edhe më tepër në tregun kosovar me prodhimet e veta. Maqedonia është partneri kryesor tregtar i Kosovës. Me këtë projekt që do të realizohet gjatë vitit 2011 dhe 2012 krijohen kushte të mira për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, vlerëson Sekretari shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane Jovan Andonoski. “Qeveritë e dy vendeve konstatuan se bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm strategjik, që do të mundësojmë bashkëpunim më të mirë ekonomik dhe kultivimin e raporteve të fqinjësisë së mirë”, shprehet Jovan Andonoski.

Përfitimet pozitive që priten nga hapja e pikës së përbashkët doganore në vendkalimin kufitar Bellanoc- Stançiq, nxjerrin në pah nevojën e investimeve në infrastrukturat ndërkufitare, thotë Edon Cana këshilltar në Sekretariatin për integrime evropiane në Kosovë. “Ne jemi të bindur që investimi në hapjen e pikës së përbashkët kufitare doganore Bellanoc-Stançiq, do të jetë shpejt një shembull shumë i mirë se si investimet në infrastrukturën ndërkufitare ndikojnë pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve ekonomike”, vlerëson Edon Cana.

Kjo është marrëveshja e parë ndërkufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës në kuadër të programit IPA për projektet për bashkëpunim ndërkufitar. Qëllimi i programit është promovimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, si një nga kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kultivimi i stabilitetit, si dhe nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Programi për bashkëpunim ndërkufitar midis dy vendeve, është miratuar nga Komisioni Evropian në dhjetor të vitit të kaluar, dhe kap një vlerë të përgjithshme prej 2.84 milion eurosh.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama