1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim rajonal në luftën kundër krimit të organizuar

9 Dhjetor 2011

Maqedonia kryeson në rajon me nënshkrimin e marrëveshjeve që mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve të rajonit në luftën kundër krimit të organizuar. Me Serbinë, Maqedonia ka nënshkruar tri marrëveshje.

https://p.dw.com/p/13PNA
Gordana Jankulovska
Gordana Jankullovska, ministre e BrendshmeFotografi: DW

Maqedonia së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor po ndërmerr një sërë aktivitetesh për të përforcuar bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Reformat në sferën e drejtësisë dhe punëve të brendshme janë në funksion të rritjes së efikasitetit të organeve të ndjekjes penale dhe të gjyqësorit si edhe përparimit të bashkëpunimit midis shteteve në nivel rajonal.

Synohet ndërprerja e kanaleve të krimit të organizuar

Maqedonia dhe Serbia kohë më parë kanë nënshkruar tri marrëveshje për ndihmë juridike ku përfshihet edhe ekstradimi i personave të involvuar në krim të organizuar. Luftimi i krimit të organizuar është një proces i rëndësishëm për Maqedoninë, por kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim me vendet e tjera të rajonit, thotë ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska. Patrullimi i përbashkët në vijën kufitare, lëvizja e lirë e automjeteve dhe personave të uniformuar do të ndihmojnë në ndërprerjen e kanaleve të krimit të organizuar në vendet e rajonit.

Sipas ministres Jankullovska është një arritje domethënëse që me këto marrëveshje parashihet edhe ekstradimi i personave të dyshuar ose të dënuar e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Krimi i organizuar është problem jo vetëm kombëtar por edhe kanosje dhe problem transnacional, shprehet Jankullovska.

NO FLASH Symbolbild Euro Geldscheine Löhne Lohn
Fotografi: picture-alliance/chromorange

Priten marrëveshjet me Shqipërinë dhe Kosovën

“Vendet e rajonit mund të jenë partnerë të barabartë, në veçanti në luftën e përbashkët të krimit të organizuar, dukuri kjo që po i kanoset vendeve të rajonit”. Maqedonia ka nëshkruar marrëveshje me Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën, ndërsa në procedurë e sipër është nënshkrimi i marrëveshjeve me Kosovën dhe Shqipërinë, thotë ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti. “Me këto marrëveshje shkojmë edhe një hap para, në mënyrë që t'u japim mundësinë institucioneve dhe qytetarëve që të kenë edhe një bashkëpunim të ngushtë me rajonin. Me këtë shprehim fuqishëm përcaktimin e qeverisë dhe organeve të drejtësisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë ministri Bexheti.

Profesori universitar Afrim Osmani thotë se kriminaliteti i organizuar si formë më e përgjithshme e kriminalitetit në përgjithësi gjendet gati në çdo vend të rajonit. Ka mënyra dhe forma të ndryshme të të luftuarit e krimit të organizuar, por kur kjo luftë bëhet e përbashkët, atëherë nuk mungojnë rezultatet. “Bashkëpunimi rajonal duhet në veçanti për luftën kundër terrorizmit, tregtisë së drogës, armëve, trafikimit të njerëzve.

Ai përfshin bashkëpunimin policor, doganor e gjyqësor. Vetëm kështu duke luftuar së bashku ,vendet e rajonit do ecin drejt synimit final, integrimit në BE dhe NATO”, shprehet Osmani.

Autor Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi