1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian i gatshëm të instalojë misionin në Kosovë

Bekim Shehu/ Prishtinë29 Nëntor 2007

Udhëheqësi i grupit planifikues të BE-së, Casper Klynje tha para largimit nga Kosova, se BE është i gatshëm të instalojë misionin në Kosovë. Ai do të ndihmonte në fushën e drejtësisë, policisë, rendit dhe ligjit.

https://p.dw.com/p/CUhJ
Prishtinë
PrishtinëFotografi: picture-alliance/dpa

Bashkimi Evropian është i gatshëm të instalojë misionin e tij në Kosovë, mirëpo, për këtë nevojitet një vendim mbi statusin e Kosovës nga mekanizmat ndërkombëtarë të vendimamarrjes. Kryesuesi i grupit planifikues të Bashimit Evropian, Casper Clynje u zëvendësua pas gati një vit pune në Kosovë, nga Ros Reeve.

Mision i BE-së me 2 mijë vetë

Misioni i BE-së, i cili do ta zëvëndësojë atë të UNMIK-ut, por me përgjegjësi shumë më të vogla, do të ketë një personel prej 2 mijë personash. Shumica prej tyre do të jenë pjesëtarë të policisë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ata do t'i ndihmojnë autoritetet kosovare të ngrenë kapacitetet në polici dhe drejtësi. Esenca e misionit do të jetë mbikqyrja e zbatimit të marrëveshjes së statusit nga ana e autoriteteve kosovare. Kasper Klynje, para largimit nga Kosova thotë, se është i bindur se ky mekanizëm do të veprojë drejt në raport me Kosovën. "Misioni që do të vendoset këtu do të jetë mision i drejtë, që do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për njerëzit në Kosovë. Kemi qenë shumë ambiciozë dhe jemi të bindur se misioni ynë është i drejtë për Kosovën", thotë Casper Clynje. Udhëheqësit politik kosovarë kanë deklaruar se e mirëpresin vendosjen e një misioni të BE-së në Kosovë dhe janë të bindur se ndihma evropiane për Kosovën është e nevojshme edhe pas zgjidhjes së statusit. Kështu thotë Hashim Thaçi, i cili pritet të bëhet kryministër i Kosovës.

Shpallja e pavarësisë në pajtim me trojkën

Për udhëheqësit politik kosovarë, bisedimet me palën serbe për të ardhmën e Kosovës cilësohen të dështuara, dhe sipas tyre tash do të lëvizet drejt shpalljes së pavarësisë. Ata nuk kanë saktësuar nëse do ta shpallin brenda këtij viti njëanshëm pavarësinë, por vendimin do ta marrin sapo treshja ndërmjetësuese e Grupit të Kontaktit të dorëzojë me 10 dhjetor raportin mbi rrjedhën e bisedave të deritashme për statusin tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Mirëpo, e paqartë akoma mbetet se si do të vendoset misoni i BE-së në Kosovë,nëse nuk do të ketë një vendim për statusin e Kosovës në KS-it. Kjo për faktin që KS-it, duhet ta shfuqizojë rezolutën 1244 me të cilën akoma administrohet Kosova dhe të nxjerrë një bazë të re ligjore, që do t'ia mundësojë BE-së të instalojë misionin në Kosovë me çka do të shënohet edhe fundi i misionit të tetëvjeçar të UNMIK-ut në Kosovë.