1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe Rusia preferojnë pragmatizmin

Roman Goncharenko/Angelina Verbica5 Qershor 2013

Më shumë të përbashkëta dhe më pak kontradikta. Ky qëndrim karakterizoi samitin BE-Rusi në Jekaterinburg. Çështjet e ndjeshme, si të drejtat e njeriut, u lanë thuajse plotësisht jashtë.

https://p.dw.com/p/18jtT
Fotografi: Reuters

Nuk ka përse të jenë gjithmonë Moska dhe Shën Petersburgu me pallatet e tyre, kishte menduar me sa duket Vladimir Putini. Gati një vit pas rimarrjes së mandatit si president i Rusisë, Putin priti të hënën dhe të martën (03/04.06.2013) udhëheqjen e BE në një samit në Jekaterinburg. Metropoli industrial në Urale ndodhet në një rajon kufitar. Vargu malor ndan gjeografikisht Evropën dhe Azinë. Aq më e dukshme ishte dhe përpjekja e pjesëmarrësve të samitit, që linjat ndarëse politike dhe ekonomike të minimizoheshin.

Qoftë në zgjedhjen e fjalëve, madje edhe në kodin e veshjes (kostume të zeza me këmisha blu) shefi i Kremlinit dhe të ftuarit e tij nga Brukseli demonstruan harmoni. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, vlerësoi "partneritetin strategjik" dhe "marrëdhëniet e shkëlqyera tregtare", që mund të bëheshin edhe "më të thella dhe më të gjëra". Në vitin 2012 qarkullimi i mallrave ndërmjet BE dhe Rusisë është rritur me 4,1 për qind, duke arritur më shumë se 410 miliardë dollarë amerikanë, tha presidenti rus. Putin tha se shpreson, se së shpejti do të kalohet niveli i 500 miliardëve.

Presidenti rus Vladimir Putin (qendër), Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy (majtas) dhe Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso
Harmoni në samitin BE-Rusi - të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera të ndjeshme nuk u prekën thuajse fareFotografi: Reuters

Asnjë debat lidhur me Sirinë

Tema debati? Në fakt ato ekzistojnë, por "kjo nuk ështe asgjë e pazakontë", tha Putin. Për heqjen e vizave, që Rusia e kërkon prej kohësh, presidenti heshti kësaj rradhe, edhe pse në samitet e mëparshme ai e ka ngritur herë pas here këtë çështje. Presidenti i Komisionit të BE Barroso tha vetëm se një marrëveshje për lehtësimin e vizave mund të vijë së shpejti. Por disa "aspekte teknike" janë ende të hapura.

Në temën e Sirisë, e cila në Rusi dhe në BE vlerësohet krejtësisht ndryshe, u bënë përpjekje për të theksuar të përbashkëtat. Duke patur parasysh konferencën ndërkombëtare mbi Sirinë, të planifikuar të mbahet në Gjenevë, të dyja palët u shprehën në favor të një zgjidhjeje politike të konfliktit. Edhe pse Putini ishte i zhgënjyer me vendimin e BE-së, për të mos zgjatur embargon e armëve kundër Sirisë, ai shpreson megjithatë, se vendet perëndimore fillimisht nuk do t'i furnizojnë me armë rebelët.

Nuk u fol aspak në lidhje me kërkesën e Rusisë për kalimin e të dhënave të pasagjerëve të fluturimeve ajrore nga BE. Moska dëshiron që për arsye sigurie që nga 1 korriku 2013 të marrë nga Brukseli edhe të dhënat personale të udhëtarëve, ngjashëm si në rastin e një marrëveshjeje ndërmjet BE-së dhe SHBA. Por Brukseli e sheh këtë gjë me sy kritik dhe shpreson që çështja të shtyhet, për t'iu përgjigjur pyetjeve të hapura.

Rrugë të reja bashkëpunimi?

As për çështjet e energjisë nuk pati grindje. Rusia ndjehet e trajtuar padrejtësisht nga BE-ja për shkak të së ashtuquajturës pako të tretë energjetike, thuhet në deklaratën me shkrim të palës ruse për gazetarët. Ndër të tjera Rusia planifikon të hapë tubacionet e saj për konkurrentët. Por në samit pati vetëm lavdata për "Road Map", për të cilën u ra dakord kohët e fundit dhe që përcakton marrëdhëniet në fushën e energjisë midis Moskës dhe Brukselit deri në vitin 2050.

Gazsjellësi i Dzhubga-Lazarevskoye-Sochi
BE dëshiron që Rusia të hapë gazsjellësit e saj edhe për konkurrencënFotografi: picture-alliance/RIA Novosti

Në Jekaterinburg u bë e qartë se Rusia dhe BE-ja duan të ecin në një rrugë pragmatike, në vend që të debatojnë. Për të përmirësuar marrëdhëniet, të dyja palët duan që të nënshkruajnë një marrëveshje të re të zgjeruar. Ajo zëvendëson marrëveshjen e vjetër të partneritetit, të nënshkruar në vitin 1994. Por negociatat ngelin në vend prej vitesh. Në Jekaterinburg u theksua tani nga të dyja palët, që të përgatitet "sa më shpejt të jetë e mundur" një marrëveshje e tillë, tha Putin.

Pyetja për OJQ-të bën që Putini të humbasë kontrollin

Çuditërisht pak u fol lidhur me të drejtat e njeriut. As për kontrollin e organizatave joqeveritare ruse dhe as për proceset kundër liderëve të opozitës Putini dhe mysafirët e tij nuk këmbyen ndonjë fjalë. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompey tha vetëm: "Puna për vlerat, që forcojnë demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut, është e rëndësishme, megjithëse element i vështirë i marrëdhënieve tona." Më shumë kritikë nuk pati.

Vetëm një gazetare spanjolle solli lëvizje në konferencën për shtyp, që ishte kryesisht e qetë: Ajo bëri një pyetje të papritur. Përse Putini i rekomandon Turqisë dialog me lëvizjen e protestës, ndërsa në Rusi organizatat joqeveritare (OJQ-të) përndiqen? "Ju ngatërroni mollët me dardhët", iu turr deri diku i zemëruar Putini gazetares. "A e keni lexuar ndonjë herë ligjin? Aty nuk shkruhet asgjë për mbyllje, aq më pak për sanksione", tha Putini. Ai e kishte fjalën për një ligj të diskutueshëm në Rusi, sipas të cilit nga OJQ-të kërkohet, që të regjistrohen si "agjentë të huaj", në qoftë se ata marrin fonde nga jashtë. Kush refuzon, rrezikon të gjobitet.

Mjedisi, në të cilin u mbajt samiti, bëri ndoshta të lehtë që të anashkaloheshin çështjet e të drejtave të njeriut. Nuk kishte protesta publike. Jekaterinburg është një rajon, ku shumica dërrmuese e popullsisë përkrah Putinin. Këtu e ka qendrën ndër të tjera industria e armatimit, që i është mirënjohëse presidentit për kontratat qeveritare.