1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'BE duhet të pranojë Snowden'

Helen Seeney/A. Topi6 Korrik 2013

A duhet Europa të mbrojë njerëz si Edawrd Snowden? Christian Mihr, drejtor ekzekutiv i Reporterëve pa Kufij, thotë për DW se një gjë e tillë duhet të ndodhë patjetër.

https://p.dw.com/p/192vJ
Fotografi: Getty Images

Deutsche Welle: BE fitoi çmimin Nobel për Paqe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pra a duhet që BE të pranojë Edward Snowden?

Christian Mihr: Absolutisht mendoj se një vend europian duhet të pranojë Snowden. Ndoshta do të jetë e vështirë për ta marrë me ligjet e azilit, por ka mënyra të tjera. Meqë jemi në Gjermani, le të flasim për Gjermaninë. Vendi ynë mund ta ndihmojë, mund t'i garantojmë atij të qendrojë në baza humanitare dhe kjo gjë është e garantuar me ligj. Gjermania duhet të bëjë një gjë të tillë.

Pse nuk po e bën Gjermania një gjë të tillë?

Me siguri sepse Amerika është një aleat i rëndësishëm. Por në një farë mënyre vendi është në kontradiktë, sepse nga njëra anë SHBA mban vendin e parë në botë për lirinë e shprehjes dhe nga ana tjetër, kur flitet për njerëz, që flasin të vërteta të ndjeshme, SHBA nuk mbron lirinë e shprehjes, të paktën në këtë rast. Ish agjenti i NSA, Edward Snowden, nuk mund të gjejë asnjë vend, që e pranon.

Edward Snowden
Edward SnowdenFotografi: Reuters

OSBE dhe Këshilli i Europës thonë se këta njerëz duhet të mbrohen, në rast se ata veprojnë për një arsye të mirë, gjë që ka bërë Snowden, pra a është ky rasti, që i bën qeveritë europiane të duken të dobëta?

Unë do të thoja po. Ne jemi duke shpresuar se presioni publik do të bëjë, që qeveritë tona të mendohen edhe njëherë. Unë mendoj se qeveritë Europiane dhe qeveritë në gjithë botën duhet të forcojnë ligjet e tyre dhe të pranojnë njerëzit si Snowden. Dëshimtë e tij janë shumë shumë të rëndësishme dhe pa dyshim që janë në interesin e opinionit publik, duke qenë se flitet për një përgjim në masë. Ky zbulim nuk do të kishte qenë i mundur, nëse ai nuk do të kishte folur.

Por cili është qëllimi i këtyre ligjeve për mbrojtjen e njerëzve si Snowden, nëse askush nuk i forcon, se ka frikë se mund të mërzisë Uashingtonin?

Sigurisht që ka pak frikë këtu. Njerëz si Snowden japin alarmin për gjëra, që bëjnë qeveritë, ose çfarë ndodh në ambjentin e tyre, prandaj ka ambivalencë kundrejt tyre, sepse njerëzit në pushtet i tremben gjithmonë dëshmive të tyre.

Dëshmitë e Snowden kanë theksuar edhe një problem të madh për Europën, duke përmendur numrin e kompanive të përgjuara dhe të dhënat, që ka marrë SHBA për qytetarët europianë. Si mund të shmanget një gjë e tillë?

Mbi të gjitha ne kemi nevojë për transparencë. Merita e dëshmive të Snowden, që janë publikuar në gazeta të rëndësishme, si Guardian në Britani dhe Der Spiegel në Gjermani, ështe se tani kemi pak më shumë transparencë për skandalin e përgjimeve. Ne tani duhet të sigurohemi, që të mos kemi më standarte të dyfishta. Ne besojmë se përgjimet në masë janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, lirinë e informacionit dhe lirinë e shtypit. Prandaj ne i kërkojmë qeverisë gjermane dhe qeverive të tjera të Bashkimit Europian të rishikojnë traktatin e ashtuquajtur "porti i sigurtë". Ky traktat mes BE dhe SHBA-së duhet të sigurojë standarte për të dhënat.