020410 EU Visakodex
4 Prill 2010Çdo vit rreth 10 milionë vetë marrin një të ashtuquajtur "vizë Shengen" me të cilën mund të udhëtojnë në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së si dhe në Norvegji, Islandë dhe Zvicër. Kush ka një vizë për hapësirën Shengen mund të udhëtojë në 25 vende evropiane pa iu nënshtruar kontrolleve në kufij. Kërkesa për një vizë të tillë paraqitet në konsullatën e një prej vendeve të hapësirës Shengen dhe sipas rregullave të tij.
Komisarja e BE-së për drejtësinë Cecilia Malmström: "Synimi i kodit të ri të BE-së për vizat është të koordinojë procedurën në të gjitha vendet Shengen dhe ta bëjë atë kështu më të lehtë për miliona vetë në të gjithë botën që aplikojnë për një vizë Shengen."
Thjeshtim procedure dhe afate më të shkurtra vendimi
Procedura duhet të njësohet dhe të bëhet më ekonomike. Në parim pagesa prej 60 eurosh për vizë do të mbetet, por fëmijët nga 6 deri 12 vjeç në të ardhmen do të paguajnë vetëm 35 euro. Veç kësaj janë parashikuar përjashtime për grupe të caktuara aplikantësh. Formulari gjithashtu do të jetë pak më i shkurtër dhe më i lehtë për t'u plotësuar, thekson Jan de Ceuster, drejtuesi i departamentit përgjegjës në Komisionin e BE-së. Ai sheh dobësi në sistemin e vjetër: "Mendoj se duhet të pranojmë që procesi i vizave në të kaluarën nuk ka qenë gjithnjë i orientuar ndaj nevojave të klientëve. Nganjëherë duhet të presin shumë gjatë, edhe dy muaj, përpara se të kenë mundësinë të paraqesin kërkesën për vizë."
Kjo tani do të ndryshojë.
Refuzimi i vizës duhet të argumentohet dhe mund të ndiqet rruga juridike
Brenda 15 ditësh kalendarike, konsullata e një vendi Shengen duhet t'i japë një datë aplikantit në të cilën ai mund të paraqesë formularin e aplikimit për vizë. Pastaj brenda dy javësh duhet të merret vendimi për dhënien ose jo të vizës. Nëse kandidati për vizë refuzohet vendimi duhet argumentuar. Më parë nuk ka qenë kështu, shpjegon Jan de Ceuster nga Komisioni i BE-së:
"Nganjëherë nuk jepej asnjë argumentim për refuzimin e një vize dhe nuk kishte asnjë mundësi të protestoje për refuzimin e kërkesës. Kjo shkaktonte shumë frustrim dhe ka kontribuar për krijimin e imazhin famëkeq të "fortesës Evropë".
Duke filluar nga prilli 2011 do të jetë e mundur të ndiqet rruga juridike në të gjitha vendet Shengen, nëse viza refuzohet. Për komisaren e BE-së për drejtësinë Malmström kodi i ri i BE-së për vizat është një hap i rëndësishëm përpara: "Do të kemi një sistem më të drejtë, më transparent dhe më të lehtë për individin dhe me këtë do të kemi edhe një sistem vizash plotësisht të harmonizuar në BE."
Kjo nuk vlen megjithatë për vendet e BE-së që nuk janë anëtare të marrëveshjes Shengen. Pra për Britaninë e Madhe dhe Irlandën, Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.
Autor: Susanne Henn / Eliana Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi