1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU 2010

5 Janar 2010

Përfaqësuesi i përhershëm i Presidencës së BE-së, Herman Van Rompuy ka filluar punën dhe ka caktuar mbajtjen e një samiti të posaçëm ekonomik. Ka ardhur koha për të fillluar zgjidhjen e problemeve të vërteta në BE.

https://p.dw.com/p/LLK8
Herman Van Rompuy
Herman Van RompuyFotografi: AP

Marrëveshja e Lisbonës merr kuptim me Rompuy-in

Para një viti ishte krejtësisht e paqartë nëse në janar të vitit 2010 do të kemi një Përfaqësues të përhershëm të Presidencës së BE-së. Madje edhe nga mesi i vitit 2009 dukej se Marrëveshja e Lisbonës mund të dështonte shumë lehtë. Futja e Herman Van Rompuy-it në zyrat e reja shënon një fund të rëndësishëm: fundin e egocentrizmit.

Me vite të tëra kanë zgjatur përpjekjet e BE-së për refomën e tij të brendshme. Më e rënda ishte pyetja që përsëritej tërë kohën: sa centralizim është i domosdoshëm me qëllim që BE-ja të veprojë sa më mirë? Marrëveshja e arritur me siguri që nuk shënon kthesa radiale, sepse përparësia mbetet tek vendet anëtare. Por është krijuar një bazë e re pune, e cila mund të dëshmohet si solide, edhe për faktin se është punuar shumë gjatë në krijimin e kësaj baze.

BE-ja nuk mund të justifikohet më pse nuk po vepron, por duhet të fillojë zgjidhjen e problemeve. Shumë gjëra janë bërë vitet e kaluara vetëm me gjysmë zemre, sepse tërë kohën flitej për dështimet e Marrëveshjes së Lisbonës. Financat, kriza ekonomike, politika e ruajtjes së mjedisit apo dhe ajo e emigrantëve, të gjitha këto çështje ishin nën hijen e pyetjes kryesore, që shtrohej në secilin takim të Këshillit të Ministrave: çfarë do të bëhet me Marrëveshjen e Lisbonës? Politikanët e BE-së kanë përjashtuar mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj me shpjegimin se fillimisht duhet të miratohet Marrëveshja. Pasuan edhe grindjet rreth rizgjedhjes së Presidentit të Komisionit José Manuel Barroso dhe komisionerëve të rinj. Zgjedhja e komisionerëve ende nuk ka përfunduar, por edhe kjo do të bëhet së shpejti. Edhe në këtë drejtim së shpejti do të ketë qartësi të plotë.

A do të jetë në gjendje të veprojë tani BE?

BE-ja mund të fillojë këtë vit me më pak barra të panevojshme. Megjithatë shtrohet pyetja nëse me të vërtetë është në gjendje të veprojë? Apo egocentrizmi në BE është një gjendje normale? Ishte Marrëveshja e Lisbonës ndoshta vetëm justifikim i mirëseardhur për të mos u përballur me problemet e vërteta? BE-ja duhet të dëshmojë atë që është e vetëkuptueshme: ai nuk ekziston vetëm për të kënaqur vetveten, por për të zgjidhur problemet.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Auron Dodi