1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialog i evropianëve të rinj

Panajotis Kouparanis/Aida Cama9 Dhjetor 2012

Çfarë ka bërë kriza ekonomike me evropianët? Si e perceptojnë të rinjtë gjermanë, francezë dhe grekë njëri- tjetrin? Studentë nga tre vendet flasin në Berlin për këtë.

https://p.dw.com/p/16yfM
Studentë nga Gjermania, Franca dhe Greqia diskutojnë për krizën evropianeFotografi: DW/P.Kouparanis

Organizata gjermano- franceze e të rinjve Jugendwerk, pati kësaj here një program të ndryshëm. Në vend që të ftonte studentë dhe doktorantë vetëm nga Gjermania apo Franca, për të folur për krizën ekonomike në Evropë, ajo thirri të rinj edhe nga Greqia. Sepse si mund të flitet për krizën aktuale pa folur me ata që mendohet të jenë shkaktarët e saj, pra Greqinë? 

Klishe dhe perceptim i vetvetes

Tetë studentë apo doktorantë nga fushat e politologjisë, historisë, jurisprudencës dhe publicistikës u përpoqën të krijonin një imazh të përbashkët mbi Evropën që janë duke përjetuar aktualisht, dhe kryesisht imazhin e krijuar për të tjerët në krizën aktuale.  Ata iu afruan temës nëpërmjet analizave të karikaturave të publikuara në gazeta, me fjalime ekspertësh dhe diskutime. Interesimi kryesor ishte për imazhin e krijuar për Greqinë në vendet e tjera.

Fotini Kalantzi
Fotini KalantziFotografi: DW/P.Kouparanis
Martin Gontermann
Martin GontermannFotografi: DW/P.Kouparanis

Tek gjermanët dhe francezët ekziston simpati për grekët. Martin Gontermann është student në Universitetin Humboldt të Berlinit: "Bëhen përpjekje të mëdha, mundime dhe në fund vjen trojka dhe thotë: nuk keni bërë sa duhet. Kështu që nuk është çudi që kjo çon në depresion dhe pyetja që shtrohet është: ku të çon e gjithë kjo në fakt?" Nga miqtë e tij Gontermann dëgjon pyetjen: "Ti studion histori? E çfarë do të bësh me të kur të mbarosh studimet?" Ndërkohë që perspektivat për të gjetur një punë në fushën e tij nuk janë aq të këqija sa për studentët e inxhinjerisë në Greqi, thotë Gontermann: "Një student inxhinjerie në Greqi nuk ka asnjë lloj perspektive për të gjetur një punë. Unë mendoj se ky është turp për Evropën."

"Imazh negativ"

Studentët grekë për çudi nuk panë që të ekzistonte ndonjë mirëkuptim për situatën e tyre. Michalis Kavouklis, doktorant në shkencat politike në Universitetin e Egjeut në Rhodos, pa se imazhi për Greqinë tek bashkëmoshatarët nga Gjermania dhe Franca ishte: "Për fat të keq është një imazh negativ për një vend që ndodhet në një krizë të jashtëzakonshme shoqërore dhe politike. Dhe nga ana tjetër kriza nuk është kaq e madhe sa e paraqitën këtu ata që folën dhe profesorët që na shoqëruan."

Antonin Fournier
Antonin FournierFotografi: DW/P.Kouparanis

Mihalis Kavouklis pati përshtypjen se interesi i pjesëmarrësve nga Franca dhe Gjermania ka kryesisht motive shkencore: Për shembull që të shihet në Greqi se si u shkaktua kjo krizë borxhesh dhe cilat koncepte janë ofruar për ta zgjidhur atë. Por ajo që mungon është pjesa njerëzore. Këtë përshtypje për bashkëmoshatarët jogrekë e pati edhe Fotini Kalantzi, studiuese e shkencave politike e cila shkruan punim doktorues në Universitetin e Maqedonisë në Selanik: "Ata duhet ta përjetojnë vetë në mënyrë që ta kuptojnë se çfarë është duke kaluar aktualisht populli grek. Ne nuk mund ta transmetojmë këtë vetëm nëpërmjet një forumi diskutiv. Mungesa e përvojës personale ndihet në çdo fjali të pjesëmarrësve nga vendet e tjera.“

Perceptim alternativ nga jashtë

Këtë perceptim nuk e ka patur Antoni Fournier, student në shkencat politike nga Grenoble. Perspektiva e tij dhe ajo e kolegëve të tjerë francezë japin kontributin e vet në mënyrë që seminari të mos kthehet në një aktivitet greko- gjerman, që të jetë i rrezikuar nga këmbimi i fajësimeve reciproke. Perceptimi francez i krizës mundëson një mënyrë më racionale të trajtimit të saj."

Medikamentet që shpërndahen nuk mund të përdoren për situatat në çdo vend. Çdo vend ka kulturën e vet dhe historinë e vet. Përdorimi i i një kriteri të fortë për të gjithë çon në keqkuptime," paralajmëron Fournier.  Kjo u ndie në fillim të seminarit shumë qartë, por "gjatë vazhdimit të tij ne pamë se kemi më shumë gjëra të përbashkëta se sa të ndryshme."

Organizata gjermano- franceze e të rinjve Jugendwerk do të vazhdojë me këtë temë edhe më shumë se sa zhvillimi i një seminari. Në muajin mars, grupi do të takohet në Grenoble dhe Strazburg dhe në muajin prill në Selanik. Pastaj do të bëhet edhe bilanci.