1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja e ka shpallur 2008 si vitin e dialogut ndërkulturor

Bernd Riegert / Bruksel8 Janar 2008

Me këtë nënkuptohet dialogu i kulturave në Evropë, por edhe integrimi i emigrantëve nga kontinentet e tjera. Si mund të vihen në jetë këto nisma?

https://p.dw.com/p/CmdP
Fotografi: AP

Për këtë u konsultuan në Lubjanë politikanët e kulturës nga vendet e Evropës. Aktualisht Sllovenia ka presidencën e radhës së BE-së. Ndoshta ky vend i vogël mes Evropës Jugore dhe asaj Perëndimore është një vend i përshtatshëm për të nisur këtë dialog.

500 funksionarë të kulturës nga 27 vendet antare të BE-së

Në katin e dytë të qendrës së kulturës, një godinë pa dritare kjo në Lubjanë, janë mbledhur së bashku 500 funksionarë të kulturës nga 27 vendet antare të BE-së, për t´u konsultuar, mbi dialogun ndërkulturor dhe për mënyrën se si do të funksionojë motoja e këtij viti në BE. Në mënyrë që elita kulturore evropiane të mos bjerë në motoni brenda mureve prej betoni të godinës nga koha e socializmit, kur Sllovenia ishte republikë e Jugosllavisë, intepreton kuarteti slloven Bonaventura:

Ky ishte i vetmi çast kulturor në sallë.

Faktikisht skena i përket komisionerit të BE-së për kulturën, Jan Figel. Motoja e tij për 2008 është: "Ne duam t´i lëmë pas shoqëritë multikulturore, ku grupet nga kultura të ndryshme jetojnë të shkëputur nga njëri-tjetri në botë paralele. Ne duhet të bëhemi shoqëri ndërkulturore. Për këtë nuk mjafton vetëm toleranca."

Shumë kombe nuk e konsiderojnë veten si multikulturore

Por sipas një studimi të kryer enkas për këtë qëllim jo të gjitha vendet antare ndajnë të njëjtin mendim. Shumë kombe nuk e konsiderojnë veten si multikulturore, por i kushtojnë rëndësi identitetit kombëtar tradicional ose identitetit të sapo rifituar kombëtar. Eshtë e diskutueshme, se kush me kë duhet të flasë në dialogun mes kulturave. Komisioneri i kulturës Figel është kundër njësimit dhe asilimit, dhe e pranon që ka probleme: " Ne vërejmë tension midis grupeve të caktuara, që shfaqin probleme të kushtëzuara prej rrënjëve të thella fetare apo kulturore. Përgjigja e BE-së duhet të shtrihet ndaj fushave të reja, si arsimi, dialogu ndërkulturor dhe nënshtetësia."

700 projekte ndërkuffitare do të mbështesë BE-ja në 200 partnerë

Ka koordinatorë të vendeve, grupe projektesh, një agjenci për organizimin e veprimtarive dhe shumë burokraci për administrimin e kulturës, ankohet Reinhard Auer. Ai vjen nga teatri gjerman i Tirolit të Jugut, që i përket Italisë, ku jeton një minoritet i madh gjermanofon. Në vend realiteti është krejt ndryshe nga sa përshkruhet në fjalimet e bukura, mendon Reinhard Auer: "Ndoshta nuk duhet vetëm të flasim, por ndonjëherë edhe të dëgjojmë. Arti i dialogut konsiston tek të dëgjuarit. Eshtë sinjifikative, që qysh në hapje të gjithë kanë folur me vrull dhe ata, që e hapën këtë diskutim as që i dëgjoi njeri. Me sa duket nevoja për të folur është më e madhe se sa ajo për të dëgjuar."

Ndoshta duhet ndonjëherë edhe të dëgjojmë

Arti në BE me sa duket zhvillohet pa artistë, thotë Reinhard Auer nga teatri gjerman i Tirolit të Jugut. Megjithatë ai e vlerëson pozitivisht moton e 2008 për dialogun mes kulturave: " Unë mendoj, se kjo duhet përshëndetur. Evropa nuk mund të përbëhet vetëm nga njësitë ekonomike dhe subvencionet agrare. Pas ec e jakeve të gjata kemi filluar ta kuptojmë, se Evropa është diçka tjetër."

Ne zhvillojmë metoda me përmbajtje ndërkulturore

Krahas artit skenik dhe arteve figurative programi kulturor i BE-së përfshin edhe një sërë projektesh kualifikimi. Vesna Mikoliç është drejtore e fakultetit filologjik pranë Universitetit të Primoskës, ku leksionet jepen si në sllovenisht ashtu edhe në italisht. Vesna Mikoliç zhvillon nisma të reja për kualifikimin e mësuesve: "Ne zhvillojmë metoda për aplikimin e përmbajtjeve ndërkulturore në universitete për kualifikimin e mësuesve të gjuhës."

Sllovenia në një pozicion mes Italisë, Austrisë dhe Ballkanit ka minoritete të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Vendi me vetëm dy milionë banorë mund të jetë një shembull për dialogun e kulturave, mendon profesor Mikoliç.