1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Hisbollahët radikalë - terroristë

Mimoza Cika-Kelmendi22 Korrik 2013

BE vendos masa të ashpra ndaj hisbollahëve radikalë islamikë. Krahu ushtarak në listën e terrroistëve.

https://p.dw.com/p/19BpC
Fotografi: picture-alliance/dpa

Bashkimi Europian e ka futur krahun ushtarak të milicisë hisbollahe libaneze në listën terroriste të BE-së. Me këtë vendim, ministrat e Jashtëm të BE-së reaguan këtë të hënë (22.07.) ndaj një sulmi të zhvilluar nga ky krah në korrik të vitit 2012 në Burgas të Bullgarisë.

Votimi për këtë vendim ishte njëzëri. "Ne nuk mund të lejojmë që krahu ushtarak i Hizbollahut të zhvillojë aktivitete terroriste në tokën evropiane", tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Bruksel. Ndërsa ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans theksoi para gazetarëve: "Eshtë mirë që BE vendosi ta cilësojë Hizbollahun siç është: një organizatë terroriste." "Për këtë arsye unë jam i gëzuar që ne sot kemi marrë këtë hap të rëndësishëm për krahun ushtarak të hisbollahëve". - tha Timmermans.

Kiew Treffen Außenminister
Frans TimmermansFotografi: Reuters

BE do të ngrijë po ashtu pasuritë e hisbollahëve. Ndërsa persona dhe sipërmarrje që kanë lidhje me organizatën shiite radikale-islamike do t'u nënshtrohen disa sanksioneve si bllokim të xhirollogarive dhe kufizim të udhëtimeve. "Në këtë mënyrë ne u kufizojmë atyre mundësitë për të vepruar", deklaroi Timmermans.

Krahu ushtarak i Hizbollahut u bë përgjegjës për sulmin e ushtruar ndaj turistëve izraelitë në Burgas të Bullgarisë ku para një viti humbën jetën gjashtë turistë dhe atentatori.

Organizata Hizbollah (Partia e Perëndisë") u themelua në vitin 1982 si reagim ndaj marshimit të trupave izraelite në Liban. Ajo furnizohet me armë dhe mbështetet nga udhëheqja shiite në Iran. Hisbollahët janë të përfaqësuar me partinë e tyre edhe në Parlamentin libanez.