1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kritikon Maqedoninë

Fatos Musliu / Shkup13 Shtator 2008

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka adresuar një sërë kritikash ndaj qeverisë maqedonase për mospërmbushjen e nëntë kritereve të Komisionit Evropian, vënë si kusht për antarësim në BE.

https://p.dw.com/p/FHQJ
Ministri maqedon për çështjet evropiane Ivica Bocevski me Komisarin e BE-së për zgjerimin Olli Rehn
Ministri maqedon për çështjet evropiane Ivica Bocevski me Komisarin e BE-së për zgjerimin, Olli RehnFotografi: Dragan Todorovski

Ervan Fuere duke marrë pjesë në punimet e komisionit për çështje evropiane të parlamentit të Maqedonisë, ka thënë se "nuk është vetëm çështja e emrit pengesë për integrimin e Maqedonisë në BE, por edhe problemet e brendshme politike në vend." Fuere u shpreh se, incidentet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bojkotimi i Parlamentit si dhe mungesa e dialogut politik do të ndikojnë në përmbajtjen e raportit të KE-së, i cili publikohet në muajt e ardhshëm.

" Nuk është korrekte që arsyetimi për problemet e brendshme të kërkohet jashtë, siç parapëlqejnë disa politikanë të shprehen.... Të gjithë ne e dimë se qytetarët e Maqedonisë nuk janë budallenj, janë inteligjentë dhe atyreduhet tu tregohet e vërteta”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere.

Pavarësisht këtyre deklaratave të Fueresë., kryeministri Gruevski sërish ka përsëritur se Greqia është ajo që do të pengoj procesin e integrimit të vendit në BE. "Nëse nuk thonë për emrin, do të kapen për diçka tjetër, por thelbi i problemit është emri," ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për evrointegrime, Ivica Bocevski deklaroi se Maqedonia ka plotësuar pjesën më të madhe të kushteve të përcaktuar nga BE-ja për hapjen e negociatave për antarësim. Ndaj qasjes së këtillë të qeverisë ka reaguar opozita. Antarësimi i vendit në BE nuk varet nga fqinjët tanë, por nga vetë ne. Është e palejueshme që të konstatohet se shkaku i vetëm se pse Maqedonia ndoshta do të ishte e bllokuar në integrimin e saj drejtë BE-së është Greqia. Në rast se për një moment e lëmë anësh kontestin me Greqinë, do të shohim se Maqedonia ka një sërë problemesh me mos realizimin e obligimeve të saja, brenda në shtet, u shpreh deputeti i LSDM-së opozitare, Igor Ivanovski.