1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020211 EU Ägypten

3 Shkurt 2011

Zhvillimet dramatike në Egjipt shqetësojnë edhe BE-në. E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Ashton të mërkurën i bëri thirrje presidentit Mubarak, të vërë sa më shpejt në rrugë një ndryshim politik në vend.

https://p.dw.com/p/109oJ
Fotografi: AP

Përballë pamjeve të fundit nga Egjipti, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe dialog. Ajo që filloi si protestë paqësore, po bëhet gjithnjë e më e dhunshme, tha Ashton në Bruksel. Numri i madh i të plagosurve dhe të burgosurve ngjall shqetësim. Kryediplomatja e BE-së u shpreh me fjalë të qarta: "Zoti Mubarak duhet t'i përgjigjet vullnetit të popullit. Demonstrimet janë shprehje e këtij vullneti. Dhe Mubarak duhet të mendojë me kujdes, se si mund të tregojë që po lëviz përpara."

Ägypten Kairo Proteste Mubarak Polizei Demonstration
Apelet për largimin e Mubarakut janë të shumtaFotografi: AP

"Ne duhet të shohim lëvizje dhe shumë shpejt", tha më tej Ashton, "për këtë nuk ka asnjë dyshim".

"Ne i bëjmë thirrje presidentit Mubarak të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur."

Për shumë eurodeputetë ky apel nuk ishte i mjaftueshëm. Kështu mendon edhe Dany Cohn Bendit, kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve:

"Bëjini thirrje zotit Mubarak t'i japë fund sulmeve ndaj demonstruesve, pasi ai po e bën këtë që të pretendojë më vonë se duhet të rivendosë rregullin. Kjo është gracka, që ai po ngre tani."

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, kritikoi kreun e BE-së. Ai shprehu keqardhje që megjithë apelet askush nuk ka udhëtuar për në Tunizi, apo Egjipt:

Tunesien Tunis Proteste Demonstranten fordern Rücktritt der Übergangsregierung
Demonstrata në TuniziFotografi: AP

"Njerëzit, të cilët demonstrojnë atje nëpër rrugë, njerëzit, të cilët drejtojnë këtë revolucion, ata kanë tjetër gjë në mendje nga shteti i Zotit. Ata duan laicizëm, duan demokraci civile. Ata janë partnerët tanë, me ata duhet të bashkëpunojmë. Ky është shansi i madh për Evropën."

Ashton ka njoftuar ndërkohë se pas dy javësh do të shkojë në Tunizi. Ahmed Ouneies, ministri i Jashtëm i Tunizisë, lëvdoi të mërkurën (02.02.) dinamizmin e kryediplomates së BE-së Ashton:

"Ajo ka ndërmarrë iniciativën dhe ishte e para, që na mori në telefon për të shprehur mirëkuptimin dhe solidaritet."

Ministri tunizian zgjodhi Brukselin si stacionin e parë të vizitës së tij jashtë vendit, për të dikuskutuar me Ashton mbi mbështetjen e mëtejshme në rrugën drejt demokracisë. BE i premtoi atij mbështetje në zgjedhjet e ardhshme, dhe në tranzicionin drejt demokracisë. BE premtoi edhe mbështetje për shoqërinë civile, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik dhe social.

Autor: Katrin Brand/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica