1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE me sistem të përbashkët azilimi

Ralf Bosen / Esat Ahmeti30 Mars 2013

Vendet e BE-së i kanë kapërcyer pengesat e fundit drejt unifikimit të rregullores së azilimit. Por Karl Kopp nga Pro Asyl tërheq vëmendjen në bisedë me DW, se si rrjedhojë mund të ketë më shumë azikërkues të arrestuar.

https://p.dw.com/p/186za
Fotografi: picture-alliance/dpa

Situata e azilkërkuesve në Bashkimin Evropian shpesh nuk i përmbush as në minimum standardet e miratuara. Një paketë e përbashkët ligjore për të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të ndihmojë në ndryshimin e kësaj gjendjeje. Për këtë vendet e BE-së kanë negociuar për 14 vjet. Tani "Sistemi i Përbashët Evropian i Azilimit - GEAS" ndodhet në fazën e tij përfundimtare. Të mërkurën (26.03.2013) komisionerja e Brendshme e BE-së, Cecilia Malmström, ra dakord me ambasadorët e BE-së për detajet përfundimtare të paketës së propozuar ligjore. Në të përshembull saktësohet kohëzgjatja e procedurës së azilit, mbështetja financiare për emigrantët, mundësia për pranimin e azilit, por edhe rregullat për dëbim. Një temë e kritikuar nga organizatat humanitare janë shkaqet e arrestimit në të ardhmen. Megjithatë rregullat e reja duhet të miratohen edhe në nivel ministror dhe zyrtarisht edhe nga Parlamenti Evropian. Kjo pritet të ndodhë në maj ose qershor.

Deutsche Welle: Zoti Kopp, komisionerja për Politikën e Brendshme e BE-së, Cecilia Malmström, tha pas qartësimit të detajeve të ligjit të ri, se vendimet për kërkesat e azilimit në Evropë në të ardhmen do të jenë më të drejta, më të shpejta dhe më të mira. A pajtoheni ju me këtë vlerësim?

Në foto, Karl Kopp nga organizata Pro Asyl
Në foto, Karl Kopp nga organizata Pro AsylFotografi: Pro Asyl Deutschland

Karl Kopp: "Kjo është shumë optimiste, kur unë shoh tani rezultatet e arritura në hapin e dytë të harmonizimit të një ligji të përbashkët për të drejtën e azilimit, duhet të thuhet se ai është shumë modest dhe në disa pika Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë vendosur shumë gjëra dramatike."

Cilat janë ato?

Karl Kopp: "Për shembull, ekziston një direktivë për pranim, e cila së shpejti pritet të zyrtarizohet. Bëhet fjalë për aspektin social gjatë procedurës së azilit. Kohët e fundit janë përmendur gjashtë shkaqe për paraburgimin e azilkërkuesve. Gjatë hyrjes në një vend të BE-së azilkërkuesi pavarësisht se ku dëshiron të shkojë mund të transferohet në një vend tjetër të BE-së, që të është përgjegjës për të, për shkak të rendit dhe sigurisë publike aplikohen procedura të posaçme për përcaktimin e identitetit, e kështu me radhë. Kjo do të thotë që Evropa e normon praktikën e arrestimit duke zgjeruar edhe më shumë këtë dramë. Kjo do të thotë që në të ardhmen do të ketë më shumë azikërkues të burgosur se deri tani."

Një risi tjetër është se azilkërkuesit në mbarë Evropën mund të kërkojnë punë pas nëntë muajve. Në Gjermani aktualisht azilkërkuesit kanë të drejtë të kërkojnë punë pas 12 muajve. Kështu shkurtohet në tre muaj periudha e pritjes. A i përmbush kjo kërkesat tuaja?

Karl Kopp:"Ne jemi për atë që njerëzve t'u ofrohet me kohë një mundësi që ta marrin vetë në dorë jetën e tyre dhe në këtë mënyrë të lehtësohet qasja në tregun e punës dhe qasja në arsim. Kjo është e qartë. Por siç thashë, ne nuk mund ta kompensojmë këtë me shkaqet për arrestim. Këtë e përsërisin shpesh në Parlamentin Evropian, ku na thuhet: shikoni se ne e kemi përshpejtuar qasjen në tregun e punës. Por në të njëjtën kohë Parlamenti Evropian nuk ka gjetur fuqinë për t'i dhënë fund praktikës së arrestimit të azilkërkuesve. Madje në këtë direktivë nuk është ndaluar as praktika e arrestimit të fëmijvë dhe të rinjve, që janë arratisur të vetëm dhe kjo është shumë e trishtueshme."

A ka elementë në direktivën e re, që mirëpriten dhe gjejnë mbështetjen tuaj?

Karl Kopp: "Qasja e shpejtë në tregun e punës është e mirë. Po ashtu do të ketë disa procedura më të shpejta për identifikimin e njerëzve me nevoja për mbrojtje të veçantë, për të traumatizuarit dhe për të miturit. Kjo do të sjellë përmirësime edhe në Gjermani. Ka të ngjarë që do të ketë përmirësime edhe sa u përket vendeve për trajtimin e të traumatizuarve dhe viktimave të torturës. Por ne nuk jemi aspak të kënaqur me direktivën për procedurat e azilimit dhe rregullin për ndarjen e përgjegjësisë së azilimit mes vendeve të BE-së. Por në këtë pikë duhet sqaruar se në të ardhmen edhe në Gjermani do të ketë mbrojtje ligjore me efekt pezullues kundër vendimit për transferim në një vend tjetër. Kjo do të thotë se nuk mund të transferohet më dikush në një vend tjetër dhe të thuhet, pasi edhe ai është vend i BE-së e edhe atje je i sigurt. Jo, të prekurit mund të paraqesin pikëpamjet e tij dhe gjyqtari duhet t'i marrë ato në konsideratë. Por ky element pozitiv është futur për shkak të një vendimi parimor të Gjykatës Evropiane në Luksemburg. Ai nuk kishte të bënte me krijimin e vullnetit politik."