1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE rrit masat ndaj sulmeve kibernetike

James Panichi/Amarildo Topi23 Janar 2013

Bashkimi Europian është duke punuar për një legjislacion të ri, që do të detyrojë vendet anëtare të punojnë së bashku për t'u mbrojtur nga sulmet kibernetike. Por jo të gjithë janë dakord.

https://p.dw.com/p/17PeX
Fotografi: picture-alliance/dpa

Skenari më i keq i mundshëm në botën moderne ështe një sulm kibernetik që do të nxirrte jashtë funksionit shërbime shumë të rëndësishme. Ende qeveritë dhe ekspertët në të gjithë Europën janë duke bërë përpjekje për të ndërtuar strategji mbrojtëse në rast të një sulmi të tillë në sistemet e informacionit. Problemi është se 27 vendet anëtare të BE-së nuk i japin prioritet të njëjtë sigurisë kibernetike.

Vetëm shtatë apo tetë vende kanë standarde të larta nga sulmet kibernetike, ndërsa vendet e tjera kanë probleme. Por rrjetet e inofrmacionit kalojnë kufijtë kombëtarë dhe siguria kibernetike është një nga pikat e dobëta të Europës, prandaj në javët e ardhshme pritet të prezantohet një projekt për rritjen e sigurisë së rrjeteve të informacionit.

Mbrojtja e të dhënave

Mbrojtja kibernetike i referohet mbrojtjes së informacionit që mund të prekë shërbime bazë të infrastrukturës, si spitale, centrale energjie dhe transportin. Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësinë rregullohen me një kuadër tjetër ligjor të Bashkimit Europian që nuk përfshihet në këtë reformë. Incidentet kibernetike mund të prekin sistemet e informacionit që parashikojnë katastrofat natyrore, mund të jenë gabime njerëzore ose një mosfunksionim i sistemit. Por “incidente kibernetike” janë edhe sulmet që bëhen nga kriminelë ose terroriostë, të cilët vjedhin informacion për të dëmtuar një shtet të caktuar.

Neelie Kroes
Komisionerja Neelie KroesFotografi: picture-alliance/dpa

Qëllimi i kryerjes së këtyre reformave, të kërkuara me ngulm nga Komisionieri Europian për Axhendën Digjitale Neelie Kroes, është që të zhvillojë me shpejtësi strategjitë mbrojtëse nga sulmet kibernetike në vendet e Europës. Është gjithashtu edhe një përpjekje për të krijuar një rrjet informacioni përmes ministrive në Europë në mënyrë që të bashkëpunojnë si një skuadër.

Raportim i detyruar

Projektligji i ri detyron të gjitha kompanitë që ruajnë informacion në internet të raportojnë për çdo thyerje të sigurisë në sistemet e tyre. Thomas Boué nga kompania Business Software Alliance shikon probleme në lidhje me këtë çështje. “Ne jemi të shqetësuar se nëse kompanitë do të jepnin akses tek informacioni i tyre në emër të mbrojtjes, ekziston frika e keqpërdorimit të këtij informacioni. Ne do të donim të raportonim për çështje që kemi patur probleme dhe që i kemi zgjidhur,” – thotë Thomas Boué.

Sipas direktivave të propozuara, të gjitha strukturat kritike, qofshin këto në pronësi private apo publike, duhet të njoftojnë autoritetet përkatëse kombëtare në raste sulmesh apo humbje informacioni. Raportimi i detyruar do të shtrihet gjithashtu edhe tek shërbimet e thjeshta ku ruhen informacione. Një gjë e tillë do të detyrojë për raportime edhe rrjete sociale apo kompanitë si PayPal, Google, Facebook, Amazon dhe eBay.

Raportimet për sulmet kibernetike nuk duhen të bëhen publike, por edhe mund të kthehen në shembuj se si duhet të mbrohen kompanitë në të ardhmen. Do të ndihmonte gjithashtu ekspertët kombëtarë të sigurisë kibernetike për të kuptuar natyrën e kërcënimeve dhe se si mund të prekë infrastrukturën bazë.

Siguri apo mbrojtje?

Disa kritika të ndryshimeve të propozuara kanë të bëjnë me frikën e krijimit të një grupi të ashtuquajtur “ushtarak” të sigurisë kibernetike. Me fjalë të tjera ekspertët mendojnë se këto politika të sigurisë kibernetike mund të çojnë të gjithë informacionin për inciativa ushtarake të mbrojtjes kibernetike. Grupi i të Drejtave Digjitale Europiane (EDRI), thotë se reformat janë “totalisht të gabuara” sepse krijojnë lidhje më të forta mes qeverive, por nuk forcojnë agjensitë europiane.