1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Befasi të mëdha në zgjedhjet lokale në Kosovë

Bekim Shehu1 Dhjetor 2013

Në 25 komuna të Kosovës u zhvilluan zgjedhje bolotazhi për kryetar komunash. Pjesëmarrja në votime ishte 40.02 % e 1.377.000 zgjedhësve me të drejtë vote. Procesi i zgjedhjeve kaloi pa ndonjë incident serioz.

https://p.dw.com/p/1ARNQ
Zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në KosovëFotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Në Kosovë u zhvillua procesi i votimit në balotazh për kryetar bashkie në 25 komuna. Zyrtarë të KQZ-së bëjnë me dije se në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, procesi i zgjedhjeve u zhvillua i qetë pa ndonjë incident serioz që do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, njoftoi në një konferencë për media se “pjesëmarrja në votime ishte, 40.02 %, nga 1.370.00 qytetarë me të drejtë vote në këto 25 komuna”.

Befasi të mëdha

Isa Mustafa ka humbur në Prishtinë?
Isa Mustafa ka humbur në Prishtinë?Fotografi: DW/B. Shehu

KQZ, partitë politike dhe organizatat joqeveritare kanë dalë edhe me disa prognoza, të cilat parashikojnë mundësinë e disa befasive shumë të mëdha. Sipas rezultateve jo të plota, në Prishtinë është në epërsi kandidati i lëvizjes Vetëvendosja, Shpend Ahmeti ndaj kundërkandidatit të tij, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Vetëvendosja tani më e ka shpallur fitoren në Prishtinë.Ndërkohë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka pranuar se "partia e tij nuk ka shënuar rezultate të mira në Prishtinë", ndonëse nuk e pranoi humbjen përfundimtare. Sipas tij, LDK ka "dalë partia më e madhe në nivel kombëtar", por jo edhe në kryqytet. "Konsideroj se fitorja më e madhe është ky proces zgjedhor", tha Mustafa. Por edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur se ka fituar më së shumti vota në nivel kombëtar.

Në jug të Mitrovicës është në epërsi kandidati i AKR-së Agim Bahtiri ndaj kundërkandidatit të tij nga PDK, Avni Kastrati. Befasi mund të ketë edhe në veri të Mitrovicës, ku po zhvillohet një garë kokë më kokë mes Oliver Ivanoviqit dhe kandidatit të listës "Srpska", Krstimir Pantiq. Rezultatet përfunditmare priten të hënën (01.12.2013).

Zgjedhjet në veri të qeta

Në veri të Kosovës, zgjedhjet u lehtësuan nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Shefi i këtij misioni në Kosovë, Zhan-Klod Shlumberger, i cili gjatë gjithë ditës së diel ka qëndruar në veri të Kosovës, bën të ditur se “procesi zgjedhor në këto komuna është zhvilluar i qetë dhe pa incidente”.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 25 komuna të Kosovës u vëzhgua nga mbi 1600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. 71 vëzhgues nga Bashkimi Evropian monitoruan procesin e votimit. Ata thanë gjatë ditës se “janë përsëritur disa parregullësi që janë parë edhe në raudin e parë siç janë, votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë dhe listat e papastruara të votimeve”.

Pritet vlerësimi i ndërkombëtarëve
Pritet vlerësimi i ndërkombëtarëveFotografi: DW/B. Shehu

Për të siguruar një proces të qetë zgjedhor, policia e Kosovës kishte angazhuar mbi 5000 policë. Të angazhuar dhe në gjendje gatishmërie ishin edhe policia e misionit EULEX dhe forca paqeruajtëse KFOR, por kësaj radhe nuk kishin nevojë për ndërhyrje.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmon se “procesi i zgjedhjeve në të gjitha 25 komunat ka qenë i qetë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla që nuk kanë ndikuar fare në procesin e votimit”. Incidente nuk ka pasur as në veri të Kosovës”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i policisë.

Disa arrestime, por pa ndikim në zgjedhje

Ndërkohë, koordinatorja për zgjedhje nga Prokurorja e Shtetit, Laura Pula, bën të ditur se “janë arrestuar tetë persona për tentim të pengimit të procesit zgjedhor”. 60 prokurorë ishin në detyrë në të gjitha rajonet e Kosovës për të reaguar për çdo shkelje eventuale.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Kosovë, një ditë para balotazhit thanë se “Demokracia funksionon me të vërtetë vetëm atëherë kur njerëzit janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur opinionet e tyre politike individuale, pa ndërhyrje ose kërcënim. Kjo është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën ta mbajë progresin e arritur drejt rrugës së saj evropiane”.