1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi dhe Prishtina: As pranë dhe as larg marrëveshjes

21 Mars 2013

Raundi tjetër i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës solli një tjetër përparim, por jo marrëveshjen përfundimtare. Kemi përsëri një "datë kyçe", 2 prillin, kur do të mbahet takimi përfundimtar.

https://p.dw.com/p/181Ac
Dialog Belgrad-Pristina
Dialog Belgrad-PristinaFotografi: DW/Marina Maksimovic

Raundi i shtatë i dialogut maratonë në mes të Beogradit dhe Prishtinës zgjati 12 orë dhe përfundoi me shpresën për një marrëveshje dhe me konferencën e parë të përbashkët për shtyp të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës. Dita e gjatë në Bruksel iu kushtua kryesisht zgjidhjes së çështjes të asosiacionit të komunave serbe në Kosovë. Për këtë u zhvilluan tre takime Ashton, Daçic, Thaçi, ndërsa në mes konsultimeve "trilaterale" përfaqësuesja e lartë e BE-së zhvilloi konsultime individuale me të dy kryeministrat.

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton në fund të ditës, në të cilën ajo festoi 57 vjetorin, tha se është e bindur se ndodhet pranë "zgjidhjes së çështjes më të vështirë, që lidhet me veriun e Kosovës": "Për të siguruar se ajo, për të cilën ne bisedojmë këtu, pranohet edhe në terren është koha për konsultime, përpara se të takohemi përsëri me 2 prill në takimin përfudimtar për një seri çështjesh të këtij grupi bisedimesh. "

Për të jetuar si gjithë bota normale

Kësaj radhe, duke folur për herë të parë së bashku para gazetarëve, kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës bënë konstatimin e përbashkët, se ka pasur progres në bisedime. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se sa më shumë kalon koha, "optimizmi për arritjen e një zgjidhjeje mund të bëhet gjithnjë e më i madh."

"Nuk mund të them as se jemi pranë dhe as se jemi larg marrëveshjes, për shkak se në çdo moment këndvështrimi për situatën, ku ndodhemi ndryshon", Ivica Daçiç pas raundit të shtatë të bisedimeve në Bruksel. "Ka ende dallime në lidhje me juridiksionin e asosiacionit të komunave serbe, por më duhet të them se në shtatë takimet e fundit kemi ndërtuar një marrëdhënie për të respektuar marrëveshjet dhe për të zgjidhur problemet dhe çështjet e vështira, të cilat deri tani askush nuk ka provuar t'i zgjidhë."

Kryeministri i Serbisë thotë se momentalisht në Bruksel bisedohet për temat më të vështira dhe më të rëndësishme, që mundojnë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës "prej dekadash të tëra, në mos prej shekujsh," dhe për hir të zgjidhjes së problemit, të drejtimit kah e ardhmja dhe stabilitetit të rajonit është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje "gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë".

Edhe pse ai thotë, se Ballkani nuk është i prirur për kompromise, kryeministri serb thekson se kompromisi është i domosdoshëm dhe se Serbia "nuk luan lodra as me Brukselin, as me Prishtinën: "Ne nuk kemi kohë, jo për shkak të datës, por sepse ne kemi për të zgjidhur problemin, se si të bëjmë, që njerëzit tanë dhe shteti të jetojnë si gjithë bota normale."

Koha për marrëveshje

„Konfirmoj se ka patur përparime në disa çëshjte. Gjithashtu nuk mund të them se jemi pranë, apo larg zgjidhjes, por po shkojmë në drejtimin e duhur", tha kryeministri i Kosovës Hashim Taçi, duke iu bashkangjitur deklaratës së kryeministrit të Serbisë dhe shtoi: „Pres që në ditët e ardhshme do të arrijmë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në rradhë të parë në Mitrovicën e Veriut, që të kemi liri lëvizjeje, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e shoqërisë demokratike.“

Kryeministri i Kosovës tha se „dy shtetet dhe dy popujt“ kanë humbur mjaft kohë me konfrontime dhe se tani është koha për hapjen e „një kapitulli të ri të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në integrimet euroatlantike“: „Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën do të thotë edhe rivendosje e stabilitetit në rajon. Jam i bindur se e ardhmja e popujve tanë është e ardhmja e stabilitetit, paqes dhe zhvillimit", përfundoi Thaçi. Sot (21.3.) edhe Daçiç dhe Thaçi, udhëtojnë me të njëjtin avion nga Brukseli në Nju Jork, ku do të marrin pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën diskutohet për përparimin në dialogun Prishtinë-Beograd.

Autor: Marina Maksimovic /Angelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi