1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi jo palë në bisedimet për Veriun

23 Maj 2012

Beogradi nuk duhet të përfshihet drejpërdrejt në bisedimet për Veriun e Kosovës. Kjo sepse ndikimi i Beogradit indirekt në Veri, është shumë domethënës, thonë parlamentarë të Kosovës.

https://p.dw.com/p/150vx
Mitrovica, Kosova
Mitrovica, KosovaFotografi: AP

Përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë thonë se në Veri të Kosovës është e nevojshme që serbëve t'u shpjegohet mirë plani i Marti Ahtisarit dhe në këtë mënyrë mund të ketë biseda me serbët lokalë. Mirëpo opozita kosovare kategorikisht hedh poshtë mundësinë që në këtë dialog të përfshihet edhe Beogradi zyrtar, qoftë edhe si lehtësues i këtyre bisedave që priten të ndodhin. Qeveria e Kosovës tashmë është shprehur hapur se mund të bisedojë më serbët lokalë për zgjidhjen e problemit të veriut, duke iu përgjigjur kështu një trysnie të bashkësisë ndërkombëtare për një plan gjithpërfshirës për Veriun e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së në opozitë, Ismet Beqiri, thotë se fillimisht bazë për çdo bisedë për Kosovën dhe rreth saj është dhe duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Dhe në këtë linjë, zoti Beqiri thotë se edhe në Veri të Kosovës duhet implementuar vetëm pakoja e Marti Ahtisarit.

Largimi i strukturave paralele mundëson implementimin e planit të Ahtisarit

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion mbi Beogradin që të largojë strukturat paralele serbe, sepse jemi të bindur se më shpejt do të implementohej ajo që parashihet në veri”, thotë Ismet Beqiri.

Por, sipas zotit Beqiri, përgjegjësi për integrimin e veriut të Kosovës ka edhe qeveria e vendit e udhëhequr nga kryeministri, Hashim Thaçi.

“Pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka qeveria e Kosovës, e cila nuk ka qenë këmbëngulëse dhe as nuk ka ditur që të bëjë hapa më konkretë më pragmatikë në jetësimin e asaj që parashihet në pakon e Marti Ahtisarit”, thotë Ismet Beqiri.

Njohësit e zhvillimeve politike në Veri të Kosovës thonë se megjithë angazhimet e qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për integrimin e Veriut, pa vullnetin e serbëve të atjeshëm, vështirë që mund të realizohet ndonjë plan. Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se integrimi i qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës, pa kontakte të drejpërdrejta më ta, tash për tash, duket i pamundur. Në këtë linjë ai sheh presionin që po bën bashkësia ndërkombëtare mbi qeverinë e Kosovës që të nisë kontaktet me serbët lokalë.

Pa vullnetin e serbëve të veriut vështirë që mund të realizohet ndonjë plan

“Presioni i komunitetit ndërkombëtar mbi Prishtinën që të hartojë plan për veriun është vetëm si një hap i dytë pas datës 25 korrik të vitit të shkuar kur qeveria e Kosovës intervenoi që të marr nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë, sepse një trysni e tillë vetëm në këtë fakt justifikohet”, thotë Afrim Hoti.

Afrim Hoti, thotë se Beogradi nuk duhet të përfshihet drejpërdrejt në bisedimet për Veriun, por, që ndikimi i Beogradit indirekt në Veri, është shumë domethënës.

Konstruktiviteti i Beogradit lehtëson integrimin e serbëve të veriut

“Nëse Beogradi tregon konstruktivitet do të jetë shumë më lehtë integrimi i asaj pjese të Kosovës, por nëse Beogradi vazhdon të jetë destruktiv, ashtu sic ka qenë deri tash, atëherë integrimi dhe plani i Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare mund të futën në një fazë të komplikuar”, thotë Afrim Hoti.

Përfaqësues të PDK-së, e cila është në pushtet, nuk mendojnë se Beogradi mund të luajë ndonjë rol konstruktiv në Veri të Kosovës, sepse, sipas shefit të grupit parlamentar të kësaj partie Adem Grabovci, Beogradi nuk ka dhënë shembuj të mirë se mund të ndihmojë.

Beogradi ka qenë rëndues dhe jo lehtësues i situatës në veri të Kosovës

“Beogradi gjithmonë ka qenë rëndues dhe në asnjë rrethanë nuk mund të lehtësojë jetën e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi për fqinjësi të mirë me Serbinë, por jo që Serbia të përzihet në punët e brendshme të Kosovës”, thotë Adem Grabovci.

Sidoqoftë, me ndryshimin e pushtetit në Serbi dhe zgjedhjes president të Tomisllav Nikoliçit, analistët parashohin vështirësi në vazhdimin e dialogut teknik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Sipas tyre, situata bëhet edhe me e komplikuar për të zgjidhur çështjen e veriut të Kosovës, për faktin se Tomisllav Nikoliçi gëzon mbështetje të madhe te serbët e veriut, të cilët nuk i njohin institucionet e Prishtinës. Serbët e veriut e festuan me të shtëna armësh fitoren e Nikoliçit.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi