1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi pret të fitojë statusin e kandidatit për antarësim në BE

7 Qershor 2011

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe presidenti i Këshillit të BE Herman van Rompuy, deklaruan se me arrestimin e Mlladiqit, është mbyllur një kapitull i rëndësishëm. Në takimin e tyre në Bruksel u fol edhe për Kosovën.

https://p.dw.com/p/11ViN
Presidenti serb Boris Tadiq dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Van Rompuy
Presidenti serb Boris Tadiq dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Van RompuyFotografi: picture alliance/dpa

Serbia pret që ndaj Beogradit të shtohen presionet e disa shteteve për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ajo i ka vijat e saja kufitare, të cilat nuk do t'i kalojë, theksoi Boris Tadiq pas takimit me presidentin e Këshillit të BE, Herman van Rompuy. Përfaqësuesi i BE mbështeti dialogun Prishtinë - Beograd për zgjidhjen e çështjeve teknike me shpresën, se palët do të tregojnë vendosmëri dhe përkushtim për arritjen e zgjidhjeve. Presidenti Tadiq, shprehu gatishmërinë që të angazhohet për zgjidhjen e problemeve për qytetarët në Kosovë, por edhe një herë theksoi se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sa i përket çështjeve të tjera, bashkëbiseduesit kishin qëndrime të njëjta. Me arrestimin e Ratko Mlladiqit Serbia ka bërë një hap të madh në drejtim të Evropës, tha Herman van Rompuy, i cili premtoi mbështetjen e Serbisë në rrugën e saj drejt afrimit me BE-në. „Rruga përpara është ende e vështirë, por tani është mënjanuar një pengesë shumë e madhe. Serbisë i hapen mundësi të reja dhe do të ishte mirë që në këtë rrugë të bëjë sa më shumë përparim", theksoi Herman van Rompuy.

Ndërsa Tadiq, u shpreh se me arrestimin e Mlladiqit është mbyllur një kapitull i historisë më të re. Tani vendi është fokusuar në reforma, përfundimin e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe përmirësimin e kushteve ekonomike në vend. „Mund të pritet që të plotësojmë kushtet dhe të bëjmë reformat, në përputhje me vlerat evropiane. Bashkëpunimi me Hagën është i rëndësishëm për shkak të përgjegjësisë sonë morale dhe sistemit juridik, por në radhë të parë për veten tonë", tha Tadiq.

Presidenti serb Boris Tadiq dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Van Rompuy
Presidenti serb Boris Tadiq dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Van RompuyFotografi: picture alliance/dpa

Presidenti serb, pret deri në fund të vitit të plotësohen kushtet që vendi i tij të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa deri në pranverën e vitit të ardhshëm të fillojnë negociatat për anëtarësim.

Herman van Rompuy, shpreson se arrestimi i Mlladiqit do të jëte një hap më afër pajtimit, stabilitetit dhe paqes së përhershme në këtë rajon. „Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe përparimi në rrugën e integrimeve evropiane, shërbejnë si garanci, se e kaluara nuk do të përsëritet kurrë", theksoi Herman van Rompuy.

Ndërsa Tadiq tha, se Serbia është e interesuar që edhe vendet tjera të bëhen anëtare të BE-së, duke shtuar se ajo është e lidhur me vendet e rajonit për dekada dhe shekuj të tërë. "Objektivi ynë final është Bashkimi Evropian", theksoi presidenti serb Boris Tadiq.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama