1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ulrike Lunacek në Kosovë

30 Mars 2012

Ulrike Lunacek shpreson që Beogradi zyrtar nuk do të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë. Sipas Lunacek Serbia do të shkelte ligjet ndërkombëtare nëse mban zgjedhje në Kosovë.

https://p.dw.com/p/14VGz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, tha në Prishtinë se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë dialogut të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në të kundërtën, sipas saj, Serbia nuk do ta marrë datën e nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtë deklaratë, Ulrike Lunacek e bëri të premten gjatë një vizite që po realizon në Kosovë. Ulrike Lunacek, pas disa takimeve që zhvilloi me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, u shpreh në favor të nisjes së bisedimeve edhe për veriun e Kosovës.

Duhet të bisedohet edhe për veriun e Kosovës

“Opcioni më i mirë do të ishte që ky dialog të zhvillohet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve lokalë të veriut të Kosovës, por në rast nevoje të përfshihet edhe Beogradi zyrtar. Ndërmjetësimin e këtij dialogu do ta bënte Bashkimi Evropian, i cili aktualisht po ndërmjetëson edhe në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Ulrike Lunacek. Eurodeputetja Lunacek, shpreson që Beogradi zyrtar nuk do të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, ashtu siç ka paralajmëruar sepse sipas saj, në këtë rast Serbia do të shkelte ligjet ndërkombëtare.

Ulrike Lunacek
Ulrike LunacekFotografi: AP

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë janë kundër ligjeve ndërkombëtare

“Zgjedhje lokale në veri apo në ndonjë pjesë tjetër të Kosovës janë kundër ligjeve ndërkombëtare, kurse sa u përket zgjedhjeve parlamentare apo presidenciale të Serbisë në Kosovë është e mundshme, por kjo duhet të bëhet se bashku me autoritetet e Kosovës ose së paku me OSBE-në”, tha Ulrike Lunacek.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, është kategorike që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë. Madje qeveria e Kosovës është duke e hartuar një plan veprimi për parandalimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Qeveria e Kosovës me plan veprimi kundër mbajtjes s zgjedhjeve lokale serbe

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar konsideron se përpjekjet e Serbisë për të organizuar zgjedhjet lokale në territorin e Republikës se Kosovës janë ilegale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Qeveria do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore për të penguar këtë agresion të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë drejtim, policia e Kosovës është duke përgatitur planin operativ për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të shkruar të qeverisë së Kosovës.

Policia e Kosovës akoma po mban të arrestuar katër zyrtarë serbë të instituconeve paralele serbe, të cilët po sillnin nga Serbia në Kosovë, material zgjedhor për zgjedhjet lokale serbe. Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, personat e arrestuar, të cilët po mbartnin material zgjedhor kanë shkelur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë ata do të ballafaqohen me organet e drejtësisë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, po qëndron në Kosovë për t'u dorëzuar autoriteteve kosovare rezolutën e Parlamentit Evropian e miratuar të enjten. Rezoluta u bën thirrje pesë vendeve të BE-së, që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë. Rezoluta e parlamentit Evropian, i bën ftesë specifike edhe komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mundësojë pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen këtë vit në Londër.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Lindita Arapi