1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berisha mbërrin në Berlin

A. Shuka 7 Tetor 2008

Kryeministri shqiptar Sali Berisha mbërriti (të martën) në Berlin për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelares Angela Merkel

https://p.dw.com/p/FVr4
Sali BerishaFotografi: dpa

“Temat e takimit janë çështjet bilaterale, zhvillimet në Ballkan, anëtarësia e Shqipërisë në Nato dhe marrëdhëniet e Ballkanit me BE-në," - tha njëri nga zëdhënësit e qeverisë, Tomas Shteg (Thomas Steg) një ditë para takimit.


Përveç kësaj, gjatë vizitës dyditore në Gjermani kryeministri Berisha do të takohet edhe me ministrin e jashtëm Frank Walter Steinmeier si edhe sekretarin e shtetit për çështje ekonomike, Hartmut Shauerte (Hartmut Schauerte). Temë e takimit do të jetë këmbimi ekonomik mes dy vendeve, nxitja e investimeve të sipërmarrjeve gjermane në Shqipëri sidomos në projekte infrastrukture.


Të enjten kryeministri shqiptar, i cili shoqërohet edhe nga ministri i jashtëm Lulzim Basha dhe ai i Financave Ridvan Bode do të niset për në Essen ku do të ketë takime me kreun e koncernit mediatik "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" (WAZ), i cili pak kohë më parë bleu në Shqipëri kanalin televiziv ”VisionPlus”. Gjithashtu Berisha do të takohet edhe me kreun e koncernit energjetik "Rheinisch-Westfaelische Elektrizitaetswerke" (RWE AG), një nga koncernet më të mëdha energjetike në Gjermani, ndër të tjera i specializuar në ndërtimin e termocentraleve me bazë qymyrin.


Hera e parafundit kur një kryeministër shqiptar vizitoi zyrtarisht Republikën Federale Gjermane ka qenë në nëntor të vitit 2004. Kryeministri i atëhershëm socialist Fatos Nano dhe kancelari i asaj kohe Gerhard Shrëder (Gerhard Schroeder) ishin të pranishëm në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e aeroportit të Tiranës nga koncerni nga Eseni "Hochtief".