1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini kërkon përgjigje konkrete prej Serbisë

29 Nëntor 2011

Qëndrimi ndaj çështjes se Kosovës dhe pavarësisë së saj ishin tema kryesore gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd në gusht të këtij viti. Gjermania, në fakt, kërkon nga Beogradi ta njohë Kosovën.

https://p.dw.com/p/13Iok
Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton Beogradin
Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton BeogradinFotografi: picture-alliance/dpa

Më 30 nëntor shkon në Bruksel presidenit i Serbisë Boris Tadiq, i cili ka delaruar se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. „Besoj se mund të arrijmë zgjidhje për konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë nëse veprojmë në mënyrë racionale dhe me përgjegjësi dhe nëse i shqyrtojmë me kujdes të gjitha zgjidhjet e mundshme, ku Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, njëherazi duhet të kërkojmë zgjidhje që janë të pranueshme për të gjithë - për serbët, shqiptarët dhe Bashkimin Evropian. Ky është qëndrimi im ndaj kësaj çështjeje", theksoi Tadiq.

Inkurajim ose nënçmim?

Nëse Serbia merr më 9 dhjetor statusin e kandidatit për antarësim në BE, ardhmëria evropiane e Serbisë do të jëtë në një farë mënyre e sigurtë, vlerëson për Deutsche Wellen Nikola Jovanoviq, redaktor i revistës „Sfidat e integrimeve evropiane".

Serbia aspiron për tu pranuar në BE
Serbia aspiron për tu pranuar në BEFotografi: DW

„Ky do të ishte një inkurajim i madh për vazhdimin e evropianizimit dhe modernizimit të mbarë shoqërisë dhe shtetit. Ky do të ishte një sinjal, i cili do t'i tregonte Serbisë se ajo së bashku me Bashkimin Evropian, vazhdon rrugën drejt modernizimit dhe antarsimit të suksesshëm në BE. Nëse Serbia nuk e merr statusin e kandidatit - kjo do të jetë nje grusht i rëndë kryesisht për elitën politike, e cila është angazhuar një kohë të gjatë që Serbia të jetë pjesë e suksesshme e familjes evropiane. Por, kjo do të jetë edhe një zhgënjim i madh për shumicën e popullatës serbe, e cila ende e përkrah hyrjen në BE. Kjo ngjarje do të përputhej me nënshkrimin e marrëveshjes për pranimin e Kroacisë në BE, kështu që ky do të ishte një mesazh negativ, e madje edhe nënçmues për Serbinë", vlerëson Jovanoviq.

Berlini kërkon përgjigje të qarta

Nëse Serbia merr statusin e kandidatit, ajo mund të bëhet motor i afrimit me Bashkimin Evropian, thotë për Deutshe Welle-n Jelko Kacin, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian. Kjo do të ndikonte pozitivisht në të gjitha vendet fqinje të Serbisë, si në ato që tashmë janë në BE, ashtu edhe në ato që e kanë statusin e kandidatit dhe në ato që ende janë në situatë të paqartë si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria ose Kosova.

„Neve nuk jemi në gjendje dhe nuk e kemi mandatin të flasim në emër të Serbisë. Mirëpo, unë vetëm dua ta përkthej atë çka thotë Angela Merkel: mos na mbani ligjërata. A do t`i realizoni ju këto kërkesa apo jo? Për Bashkimin Evropian është më e rëndësishme të ketë qarkullim të lirë të njerëzve, mallit, kapitalit, shërbimeve dhe ideve. Në Berlin nuk e kuptojnë situatën kur ka problem në kufi, kur është kufiri i bllokuar, kur ka barrikada… Berlini kërkon përgjigje të qartë: a do ta implementoni marrëveshjen mbi vulat doganore, mbi kadastrat dhe kur do ta bëni këtë? Dhe derisa nuk ka përgjigje për këtë, Berlini nuk do të ketë mirëkuptim për kërkesat e Serbisë", thekson Kacin.

Presidenti Boris Tadiç
Presidenti Boris TadiçFotografi: AP

Të hyjmë në BE, e pastaj mund të dalim

Hulumtimet e opinionit publik në Serbi tregojnë se po shtohet numri i qytetarëve që janë skeptikë ndaj Bashkimit Evropian. Sikur të mbahej tani referendumi për hyrjen e Serbisë në BE, „pro" do të votonin 50 për qind të qytetarëve. Ndërsa kundër do të ishin 32 për qind. Anketa e bërë në rrugët e Beogradit tregon gjithashtu se ekzistojnë mendime të ndryshme rrethë hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian:

„Nuk jam për atë që Serbia të hyjë në BE, sepse Evropa ka standarde të dyfishta dhe ka një politikë të poshtër ndaj Serbisë. Evropa nuk po na sjellë diçka të mirë, por po na imponon disa gjëra që nuk janë normale. Në vend që të na ofrojë standard dhe rroga më të mira, të na kthejë pasuritë e uzurpuara, ata na ofrojnë paradën e homoseksualëve dhe na vënë kushte të ndryshme. BE-ja nuk është korrekte ndaj Serbisë. Por hyrja në BE ka dhe përparësitë e veta„ thotë një i anketuar.

Grafiti kundër BE-së në Beograd
Grafiti kundër BE-së në BeogradFotografi: DW

„Pse jo. Unë jam për hyrje në BE sepse do të na ofronte mundësi të shumta. Në qoftë se nuk jemi të kënaqur, ne sërish mund të dalim. Me siguri që duhet provuar", pohon një tjetër.


Autor: Ivica Petroviq/ Marina Maksiomoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama