1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sprovë për të ardhmen e qeverisë Merkel

13 Maj 2012

Të dielën (13.05.'12) zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit Renani Veriore - Vestfali. Këto zgjedhje janë me rëndësi për të ardhmen e koalicionit qeveritar nën kancelaren Angela Merkel.

https://p.dw.com/p/14uI8
Postera elektoralë për zgjedhjet në NRW
Fotografi: picture-alliance/dpa

Norbert Röttgen, kandidati për kryeministër të landit Renani Veriore - Vestfali (NRW) e di që ka mbështetjen e kancelares Angela Merkel. Dhe Angela Merkel gëzon popullaritet tek gjermanët. Mbështetja nga kancelarja është një avantazh, por jo për Röttgen-in. Burri, i cili nga kundërshtarët e tij politikë quhet me shpoti "i zgjuari i mamasë", prej javësh pengohet nga ambicia e tij.   

Meqenëse nuk i fsheh synimet e tij politike në rang federate dhe prej kohësh përflitet si pasardhës i mundshëm i Merkel-it në postin e kancelarit, zgjedhjet e reja të landit vijnë në një kohë tejet të papërshtatshme për të. Planet e tij për karrierën janë çrregulluar plotësisht - nëse do të zgjidhej kryeministër pushteti i tij do të shtohej, por nëse mbetet në opozitë nuk pranon të zhvendoset në kryeqytetin e landit, Dyseldorf. Që prej fillimit të fushatës elektorale, Röttgen, i cili vlerësohet me aftësi të mëdha politike dhe intelektuale, qëndron në llogoren e humbur. Pa shprehur angazhimin e qartë për landin nuk ka për të marrë numrin e nevojshëm të votave, konstatojnë demoskopët. Pra duket se kristiandemokratët dhe Angela Merkel e kanë të humbur betejën.

Merkel dhe Röttgen në fushatë elektorale në NRW
Merkel dhe Röttgen në fushatë elektorale në NRWFotografi: DW

"Nëna" e landit Hannelore Kraft

Për socialdemokratët (SPD) rezultati i zgjedhjeve në NRW mund të jetë gjithashtu i rëndësishëm edhe për Berlinin. Kryeministrja aktuale socialdemokrate e landit Hannelore Kraft, për një kohë të gjatë pa profil të qartë politik në rang federate, ka fituar konture në krye të qeverisë së pakicës dy vitet e kaluara. Demoskopët e shohin SPD-në në përparësi të qartë ndaj CDU-së në zgjedhjet e së dielës (13.5.'12). Nëse parashikimet do të konfirmohen nga rezultati i së dielës në mbrëmje, atëherë letrat e lojës duhet të përzihen sërish edhe në Berlin.

Deri tani kandidatë të mundshëm socialdemokratë për kancelar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në rang federate, konsiderohen kryetari i partisë Sigmar Gabriel, ish-ministri i Financave Peer Steinbrück dhe Frank-Walter Steinmeier, ish- ministër i Jashtëm. Këta të tre gëzojnë respekt në Partinë Socialdemokrate por nuk janë të padiskutueshëm. Me një fitore në NRW Hannelore Kraft mund ta kthente treshen e burrave në një kuartet të përzierë.

Kryeministrja Hannelore Kraft në takim me qytetarë në NRW
Kryeministrja Hannelore Kraft në takim me qytetarë në NRWFotografi: DW

Zgjedhjet në NRW si provë

Ndryshimet në konstelacionin politik në NRW kanë qenë shpesh lajmëtarë të ndryshimeve të aritmetikës partiake në federatë. Landi NRW, në të cilin janë të vendosur 9 nga 30 koncernet më të mëdha të indeksit gjerman të aksioneve DAX, nuk ka qenë i fuqishëm vetëm në epokën e qymyrit dhe çelikut. Edhe politikisht në landin pranë Rinit dhe Rurit janë provuar ngjyrime politike, të cilat më pas janë reflektuar në rang federate. Viti 2005 kur kristiandemokratët (CDU) pas disa dekadash në opozitë morën shumicën në parlamentin e landit në NRW, shënoi edhe fundin e qeverisjes së socialdemokratëve të Gerhard Schröder-it në Berlin. Përvoja tregon se "kur NRW kollitet, Berlinin e zë gripi".

Autor: Volker Wagener / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora