1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini nuk do të ndërmjetësojë në Damask

Günther Birkenstock/P.Pani8 Tetor 2013

Qeveria gjermane e hodhi poshtë kategorikisht kërkesën siriane për një rol ndërmjetësues të Berlinit.

https://p.dw.com/p/19vpd
Fotografi: Reuters

Siria sapo ka filluar shkatërrimin e arsenaleve të saj të gazit helmues nën mbikëqyrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, kur papritur presidenti Bashar al-Assad na befason me një deklaratë që mund të kuptohet si një kërkesë ndaj qeverisë federale gjermane. Në një intervistë të gjerë me revistën "Der Spiegel" Asadi tha se nuk kishte asnjë përgjegjësi për dhunën në vendin e tij. Njëkohësisht ai sinjalizoi se është i hapur për një rol ndërmjetësues të Berlinit: "Unë do të jem i kënaqur nëse të dërguar nga Gjermania vijnë në Damask për të biseduar me ne në lidhje me gjendjen e vërtetë të punëve," tha ai, duke theksuar në të njëjtën kohë: "Megjithatë, në qoftë se ju mendoni se duhet të na izoloni, atëherë unë them, se ju izoloni veten nga realiteti ".

Kush dëshiron të ndihmojë, duhet të mbështesë të dërguarin e OKB-së

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e refuzoi ofertën. "Ne kemi të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Lakhdar Brahimi, dhe mbështesim me të gjithë forcën përpjekjet e tij për ndërmjetësim për një zgjidhje politike," tha ai gjatë një vizite në Afganistan. Westerwelle kritikoi gjithashtu deklaratat e Assadit që mohon se ka përdorur gaz helmues në Siri: "Mohimet dhe hedhjet poshtë nuk janë sigurisht të përshtatshme për të përgatitur terrenin për një zgjidhje paqësore në Siri," tha ministri i jashtëm.

Thomas de Maizière dhe Guido Westerwelle gjatë një vizite në Afganistan
Thomas de Maizière dhe Guido Westerwelle gjatë një vizite në AfganistanFotografi: Reuters

Guido Steinberg, ekspert i Lindjes së Mesme, mendon se refuzimi i Gjermanisë që të marrë përsipër një rol të posaçëm ndërmjetësimi është i drejtë. "Të gjithë ata që punojnë për një zgjidhje politike në Siri duhet të mbështesin Lakhdar Brahimin." - thekson Steinberg.

Edhe Thomas Jäger, profesor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Këlnit e quan të drejtë vendimin e qeverisë gjermane. "Antipodet në konfliktin sirian janë veçanërisht SHBA-të dhe Rusia. Në qoftë se qeveria federale do të dojë që të ndërmjetësojë në një mosmarrëveshje mes SHBA dhe Rusisë, atëherë kjo do të jetë guxim i tepruar politik", tha Thomas Jäger për DW.

Politika ndaj refugjatëve një qasje e drejtë

Megjithatë Gjermania mund dhe duhet të jetë aktive në konfliktin sirian, mendon eksperti i Lindjes së Mesme Guido Steinberg. Qasja më mirë do të ishte sipas Steinberg një ndihmë konstruktive në politikën ndaj refugjatëve. Hapi një: Turqia duhet të rihapë kufijtë dhe të pranojë më shumë refugjatë. Qeveria federale gjermane mund të ofrojë mbështetje logjistike dhe financiare aty. Por dhe Liban dhe Jordani kanë nevojë për ndihmë. Këto vende mund të destabilizohen politikisht, sepse ata po strehojnë në mënyrë disproporcionale shumë refugjatë nga Siria, mendon Steinberg. "Në një hap i dytë, Bashkimi Evropian duhet të marrë më shumë refugjatë. Gjermanët mund të marrin mbi vete dhe pak më shumë barrë".

Ärzte ohne Grenzen OP-Saal für syrische Flüchtlinge in Aleppo
Fotografi: Anna Surinyach/Ärzte ohne Grenzen

Ndihma humanitare gjithashtu është edhe sipas Thomas Jäger rruga e drejtë. Qeveria federale mund kujdeset për lehtësimin e pasojave të luftës civile në rajon. Gjermania gjithashtu mund të ndihmojë "që të vazhdojë diskutimi për një lloj zgjidhje"dhe të zhvillojë ide për këtë zgjidhje.