1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlusconi ankohet për përndjekje politike

Karl Hoffmann / Eliana Xhani27 Tetor 2012

Dënim me burg për mashtrim fiskal - këtë ish kryeministri, miliarderi dhe moguli i medieve italiane Berlusconi, nuk e priste. Në burg ai nuk do të shkojë por vendimin e quan megjithatë "barbari".

https://p.dw.com/p/16Y5S
Silvio Berlusconi
Fotografi: dapd

Silvio Berlusconi është dënuar dhe konflikti gati 20 vjeçar mes ish kryeministrit dhe drejtësisë italiane, ka shpërthyer sërish me gjithë forcën e tij. Gjykata e Milanos konstaton në rastin e Berlusconit aftësi të natyrshme për veprime kriminale. Dhe çka peshon më rëndë: ai personalisht është ideatori i një sistemi të sofistikuar me të cilin janë devijuar shuma të mëdha nga tatimet, për të mbushur llogaritë e zeza për biznese të fshehta.

Silvio Berlusconi dhe përkrahësit e tij e vlerësojnë vendimin e gjykatës si barbari dhe fund të demokracisë, e cilësojnë përndjekje politike. Në mënyrë polemike ata kërkojnë burg të përjetshëm për gjykatësit. Duket se vendimi i gjykatës së Milanos erdhi krej i papritur, jo vetëm më parë nga sa pritej por edhe më i ashpër. Në vend të tre vjet e tetë muaj burg që kishte kërkuar prokurori, gjykatësit e rritën masën e dënimit në katër vjet. Veç kësaj Berlusconit i ndalohet të mbajë poste publike për të paktën pesë vjet dhe përjashtohet për tre vjet nga drejtimi i kompanisë së tij.

Garë me pengesa për prokurorinë

Gati dhjetë vjet ka zgjatur procedura penale. Gjatë kësaj kohe Berlusconi dhe avokatët e tij janë përpjekur me të gjitha mjetet të pengojnë procesin. Për Prokurorinë filloi një garë e vërtetë me pengesa. Gati katër vjet zgjatën hetimet derisa në nëntor 2006 u bë e mundur të hapej procedura gjyqësore. Por procesi u shty vazhdimisht. Një herë ishte partia e Berlusconit që kishte paraqitur një ligj i cili e mbronte kryeminstrin nga ndjekja penale; një herë kryeministri jepte si arsye punë urgjente të qeverisë, që e pengonin të paraqitej në gjyq.

Pas shumë zvarritjesh Berlusconi u shpreh i gatshëm të paraqitej në gjyq në datat e paracaktuara. Por megjithë marrëveshjen ai nuk u paraqit në seancat e procesit. Gjykata i dërgoi paralajmërim për mosparaqitje. Për këtë ai kundërshtoi në gjykatën e apelit, e cila deri tani ende nuk ka vendosur. Në mënyrë paradoksale vendimi i së premtes (26.10.) mund të anulohet nëse apeli i Berlusconit aprovohet.

Një vendim historik

Pasojat faktike të vendimit të gjykatës së Milanos nuk justifikojnë megjithatë reagimin e ekzagjeruar të Berlusconit dhe përkrahësve të tij. Vendimi do të merrte fuqi ligjore nëse do të konfirmohej nga dy instanca të tjera. Duke pasur parasysh ngadalësinë e drejtësisë italiane dhe mundësitë e pafundme të influencës së mbrojtjes së Berlusconit, procesit gjatë dy viteve të ardhshme do t'i skadojë afati. Tre vjet u ulën nga dënimi për shkak të një ligji amnistie dhe 12 muajt që mbeten do të kthehen në liri të kushtëzuar. Pa marrë parasysh faktin që një i dënuar 76-vjeçar parimisht nuk do të dërgohej në burg në Itali.

Postera që vënë në lojë ish kryeministrin Berlusconi në skandalin e prostitucionit me të mitura
Postera që vënë në lojë ish kryeministrin Berlusconi në skandalin e prostitucionit me të mituraFotografi: picture alliance/abaca

Është pikërisht pesha simbolike e dënimit që ka tërbuar Berlusconin. Ndalimi nga gjyqtarët i ushtrimit të funksioneve publike dhe drejtimit të firmës së tij, e godet në palcë vetkuptueshmërinë e tij si politikan dhe sipërmarrës. Deri tani Berlusconi kishte arritur të dilte i palagur nga proceset gjyqësore. Në disa raste ka pasur edhe vendime për pafajësi. Vendimi i këtij procesi të 26-të është përkundrazi i ashpër dhe e damkos zyrtarisht Berlusconin si mashtrues fiskal. Kjo prej kohësh nuk ishte më e fshehtë, por nuk ishte ende fakt juridik. Për Berlusconin ky vendim gjyqësor nuk është aspak sinjal i mirë për proceset ende të hapura, para së gjithash të njërit për prostitucion të miturash, i cili zhvillohet gjithashtu në Milano, dhe që nga shtypi italian quhet me qesëndi procesi Bunga Bunga.

Fundi i një epoke?

Vetëm dy ditë më parë Berlusconi kishte deklaruar se nuk do të kandidonte në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme. Partia e tij PDL po kalon gjithnjë e më shumë në skaj të politikës italiane që prej dorëheqjes së Berlusconit nga posti i kryetarit të partisë. Vendimi i gjyqit mund t'i vinte asaj paradoksalisht për shtat: spekulohet se ndoshta polemika e shpërthyer pas vendimit të gjyqit mund të ndizte edhe një herë dëshirën për të luftuar tek Berlusconi dhe megjithë moshën e thyer të kandidonte edhe një herë në krye të aleancës së qendrës së djathtë. Në parlament ai do të gëzonte imunitet dhe do të ishte i mbrojtur nga ndjekja penale. Kështu do të ishte i lirë të drejtonte edhe më tej me sukses biznesin e tij.