1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250109 lampedusa flüchtlinge

Marc Erath 25 Janar 2009

Kushtet në kampet e pritjes së refugjatëve janë antihumane, por kryeministri Berluskoni e çdramatizon gjendjen.

https://p.dw.com/p/Gg0P
Refugjatë dhe banorë të ishullit Lampedusa duke protestuar para bashkisë së qytetit
Refugjatë dhe banorë të ishullit Lampedusa duke protestuar para bashkisë së qytetitFotografi: picture-alliance / dpa

Ata i bashkon zemërimi ndaj qeverisë në Romën e largët. Së bashku, refugjatë dhe banorë të ishullit Lampedusa protestojnë para bashkisë së qytetit.


"Liri" dhe "ndihmë" thërrasin ata, zemërimi i njerëzve shpërthen hapur, por vargu i protestës mbetet paqësor. Policia i lë të demonstrojnë, për disa orë.

"Vendimi i qeverisë e nxori gjithçka këtu jashtë kontrollit. Deri tani ne ia kemi dalë mbanë mirë me refugjatët. Kampet këtu ne i kemi pranuar."

Deri tani. Që në të ardhmen refugjatët të mos dërgohen më në Italinë kontinentale, por të mbeten në ishullin e vogël të Lampedusës - kjo është një strategji frikësuese e qeverisë italiane.

Por nëse do të funksionojë kjo llogari - është më se e diskutueshme. Ndryshe nga më parë, të dëshpëruarit guxojnë të marrin rrugën e rrezikshme të detit edhe në dimër - me shpresën për një jetë më të mirë në Evropë.


Kushtet në kampet e pritjes janë antihumane- edhe Komisariati i Lartë për Refugjatë i kritikon ato. Rreth 1 mijë e 300 vetë shtyhen në një kamp, i cili është ndërtuar për disa qindra vetë. Edhe kjo shkakton pakënaqësinë e banorëve të ishullit.


Silvio Berlusconi
Silvio BerlusconiFotografi: AP

Por kryeministri Berluskoni e çdramatizon gjendjen - gjithçka nuk është kaq e rëndë, thotë ai: "Kjo është vetëm një situatë kalimtare. Njerëzit në Lampedusa thjesht duhet të ruajnë qetësinë. Situata është nën kontroll, dhe veç kësaj do të ndërmarrim disa masa për t'i zhdëmtuar ata."

Roma do të lidhë javën e ardhshme marrëveshje me disa vende të Afrikës së Veriut, për ta përshpejtuar dëbimin e refugjatëve të ardhur me varka. Por qeveritë e tjera nuk pritet të kenë për këtë një ngut të tillë si Italia.