1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bernard Madoff - Mashtrues miliardash me klientelë të njohur

Thomas Schmidt 16 Dhjetor 2008

Mashtrimi me milirda dollarë i ish-shefit të bursës së SHBA, Bernard Madoff, ka prekur ndjeshëm pasurinë e shumë personaliteteve.

https://p.dw.com/p/GHS5
Ndërtesa në Manhaten / Nju Jork, ku ndodhen zyrat e firmës investuese, LLC, të Bernard L. MadoffFotografi: AP

Ai konsiderohej si një prestigjator i investimeve me një emër të pastër: Një njeri, të cilit mund t´i besoje verbërisht, kjo ishte bindja e klientëve të tij, sepse ai i shumëfishonte paratë e tyre. Një truk i kushtueshëm ky, siç mund të merret me mend, që mund të rënojë shumë klientë – veçanërisht të vegjël siç është dhe Joyce Greenberg. Investimet Madoff e patën ndihmuar atë, që të financojë shkollën e dy fëmijëve, deri vonë ajo besonte, se do të gëzonte pensionin pa kokëçarje financiare: "Unë jam mirënjohëse për suksesin, por edhe krejtësisht e shokuar dhe e indinjuar për atë që ka ndodhur tani", thotë Joyce Greenberg. Qysh nga viti 1987 Madoff përkujdesej për investimin që ajo kish bërë për moshën e thyer, ndërsa tani ajo i trëmbet më së keqes: "As që mund ta imagjinoj, nëse ka mbetur diçka prej depozitave të mia", ankohet ajo. Greenberg është një nga mijëra depozitues të prekur, shumë prej të cilëve emra të njohur: Frank Lautenberg, senatori demokrat i shtetit federal të Nju Xhersit pat depozituar 14 milionë dollarë në fondacion e tij bamirës tek Madoff, Fred Uillpon, pronari i ekipit të bejsbollit Nju Jork Mets, duhet t´u heqë vizën tani qindra milionë dollarëve, Ezra Merkin, nga kryesia e GMAC, filiali financues i General Motors, ajo duhet t´u heqë vizën madje dy miliardë dollarëve. Një fat të ngjashëm ka edhe kapitali i Stephen Spielbergs në fondacionin Wunderkind, gati 70% të kapitalit ai e kish investuar tek Madoff. Banka spanjolle Santander ishte një kliente e tij, e po ashtu edhe ajo britanike HSBC si dhe Banka e Zyrihut Reichmuth & Co.


Si mund të bëhej një gjë e tillë për vite me radhë, këtë pyetje shtrojnë të prekurit. Dyshime ndaj legjitimitetit të bizneseve të Madoff ka pasur: në vitin 1992 për herë të parë enti i mbikqyrjes së bursës në SHBA, SEC, nisi të hetojë, më pas në 2005 dhe 2007 Madoff sërish u morr në pyetje, por çështja u mbyll me një qortim për disa shkelje teknike. Megjithatë herë pas here ka pasur sinjale paralajmërimi. Nëse dikush prej më shumë se 17 vjetësh radhazi merr një interes vjetor prej 10,5%, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon, thotë konsulenti i investimeve Jim Vos: "Asnjë strategji e njohur investimesh nuk mund të ketë interes të qëndrueshëm pozitiv për dekada". Kështu deklaron Vos, i cili pretendon, se herë pas here ka tërhequr vëmendjen për riskun e bizneseve të Madoff-it. Por shumë ishin verbëruar prej aureolës së 70 vjeçarit. I dashur, i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe tërheqës, kështu e cilësojnë atë vazhdimisht të njohurit. Edhe Joyce Greenberg ishte joshur prej këtij sharmi, e kjo ia bën asaj edhe më të vështirë, që të komportohet me realitetin: "Një çek mbi një milionë dollarë për pensionin priste ajo nga Madoff, ndërsa tani ajo ka frikë, se do t´i mbetet në dorë vetëm një copë letër pavlerë.