1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betejë ligjore në Shqipëri për verifikimin e kutive të votimit

Arben Muka23 Korrik 2013

Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë anuloi procesin e rinumërimit të votave për rreth 240 kuti votimi në qarkun Lezhë. Pezull është tani procesi i verifikimit për rreth 420 kuti të tjera në qarkun Shkodër.

https://p.dw.com/p/19CA3
View from the accounting vote process in Tirana Author: Arben Muka Time: 24.06. 2013 Place: Tirana, ALBANIA
Fotografi: DW/Arben Muka

Procesi i verifikimit të votave, që po kryen prej fundjavës së kaluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë, ka marrë një kthesë të papritur të hënën pasdite. Pasi KQZ hetoi administrativisht të gjitha kutitë e votimit për qarkun e Lezhës, ky proces është konsideruar i pavlefshëm për Kolegjin Zgjedhor pas ankesës, që ka bërë Partia Socialiste. Gjithçka ka nisur nga një vendim i anëtarëve të maxhorancës në KQZ për të verifikuar dokumentacionin në kutitë e votimit në qarkun e Lezhës, ku ishin konstatuar se dokumentacioni për një pjesë prej tyre ishte i mangët në përllogaritjet, që janë bërë nga komisionet zonale.

Nuk mund të merren vendime nga KQZ me 4 anëtarë

Por duke qenë se KQZ në Tiranë ka vetëm 4 nga 7 anëtarët në detyrë, PS e ka kundërshtuar këtë vendimarrje, që sipas ankesës së saj në Kolegjin zgjedhor duhej që të ishin të paktën 5 anëtarë prezent në mbledhje. Pavarësisht kësaj KQZ vijoi me rinumërimin dhe verifikimin e tabelave të rezultateve për qarkun e Lezhës. Të hënën pasdite ka nisur procesi për afër 420 qendra votimi në qarkun e Shkodrës. Për Shkodrën ankesa ka ardhur nga subjekti politik Partia Republikane, e cila pretendon se një mandat i saj në këtë qark, që e ka marrë PD, i takon republikanëve.

Reagojnë dy partitë kryesore

Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë u shoqërua me reagime të kundërta nga përfaqësuesit ligjorë të socialistëve dhe demokratëve. Avokati i PS-së e përshkroi si shumë të drejtë vendimin e Kolegjit sipas tij, pasi "KQZ verbërisht, e urdhëruar politikisht, e futi procesin në një qorrsokak, që u zgjidh për fat të mirë nga Kolegji, duke kthyer ligjshmërinë në KQZ".

Sipas tij dhe për qarkun e Shkodrës vlen po e njëjta logjikë, anulimi i procesit, pasi ankimimi për këtë qark është bërë jashtë afateve, që parashikon ligji.

Në mendim krejt të kundërt me këtë ishte avokati i PD-së, që e konsideroi vendimin e Kolegjit si të paprecedent. "Është një vendim, që minon procesin ankimor, sepse anulon mundësitë e çdo pale të ankimojë në kushtet e bllokimit të KQZ pas largimit të anëtarëve të majtë".