Betejë propagandistike mes Rusisë dhe Ukrainës
29 Prill 2014Që para 2.000 vjetësh tragjediani i madh Eskili shkruante se në "luftë e para që sakrifikohet është e vërteta". Edhe në konfliktin e Ukrainës, ku të gjitha palët theksojnë se nuk e duan luftën, vazhon prej kohësh një luftë tjetër, ajo propagandistike. Madje për vetë analistët e sprovuar është e vështirë ndarja e propagandës dhe fakteve. Kështu javët e fundit ka pasur raportime kundërthënëse për praninë e ushtarëve rusë dhe punonjësve të shërbimit sekret në Ukrainën Lindore. Qeveria ukrainase i kishte prezantuar OSBE-së para disa ditësh, fotografi që do të shërbenin si prova, që ushtarakët e armatosur në rajon janë vërtet rusë, apo oficerë të shërbimeve sekrete. Fotografitë tregonin ndër të tjera një burrë me mjekër të gjatë, i cili në fotografitë e 2008-s shihej në Gjeorgji, - si luftëtar ilegal rus. Fotografitë qeveria ukrainase i lëshoi përmes twitterit dhe kanaleve të tjera për mediat.
Zëdhënësja e deparamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki i vlerësoi fotot "si prova të tjera për lidhjen e Rusisë me milicët e armatosur në Ukrainën Lindore". Këto pamje përforconin qëndrimin e Uashingtonit dhe Kievit se në rajon operojnë ushtarakët rusë. Putin vazhdon të njëjtën lojë, si në Krime. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov e denoncoi këtë: Qeveria e tij nuk ka dërguar ushtarë në Ukrainë.
Prova të trilluara
Një gazetar më vonë e gjeti personin e armatosur në fotografi, Alexander Moshajev, në qytetin ukrainolindor, Slovjansk. Ai dha me dëshirë një intervistë, duke u tallur me pohimet se ai ishte agjent i shërbimit sekret rus. Moshajev pohoi se ai është vërtet rus, por nuk ka qenë kurrë në Gjeorgji. Prania e tij në Ukrainë është thjesht një përzierje e dëshirës për aventurë dhe nacionalizmit. Ai i prezantoi reporterit madje një pasaportë.
Kur burimet e qeverive, ekspertëve apo dëshmitarëve okularë nuk e marrin seriozisht të vërtetën, janë të domosdoshme investigimet e medias.
Në mes të konflikteve të armatosura kjo është shumë e vështirë. "Sfida e madhe për mediat dhe përdoruesit është hedhja dritë në një mjegull propagandistike", thotë Hanno Gundert, drejtor i rrjetit n-ost, që angazhohet për një raportim të pavarur në Europën Lindore. Për popullsinë në Rusi, kjo është gati e pamundur.
Nxitje përmes mënyrës së përdorimit të gjuhës
Ndërkohë shumë media bëjnë propagandë për njërën apo tjetrën palë, edhe përmes përzgjedhjes gjuhësore. Ndërkohë që në mediat perëndimore apo ukrainase flitet për "qeverinë e përkohshme" në Kiev, mediat ruse, si për shembull "Rusia today", bëjnë fjalë për "qeverinë e puçit". Ndërkohë që në mediat perëndimore haset emërtimi "kryetari i bashkisë i vetëemëruar", Sovjansk, për palën tjetër ai është "kryetar i bashkisë së popullit". Kjo përzgjedhje gjuhësore ka efekt, po ashtu edhe përzgjedhja e temave dhe ekspertëve të cituar. "Përdorimi i burimeve të ndryshme është shumë qendror", thotë Hanno Gundert. Në Ukrainë pluraliteti i medias është më i zhvilluar. Edhe lëvizja e Maidanit ka bërë që të zhvillohen më shumë mediat kritike në Ukrainë.
Por popullsia rusishtfolëse informohet më së shumti përmes mediave ruse. Shumica e tyre, përjashto disa, respektojnë linjën e Kremlinit. "Televizioni rus prej kohësh nuk është më e vetmja shtyllë e gazetarisë profesioniste. Ai është një makineri propagande. Madje tani kjo ka marrë përmasa të jashtëzakonshme", thotë Tatjana Felgengauer, zëvendëskryeredaktore e televizionit kritik ndaj qeverisë, "Jehona e Moskës". Kremlini përpiqet të krijojë përmes televizionit një bindje të vetme. "Në Kiev janë fashistët, në Ukrainën lindore miqtë tanë." Me këtë strategji duket se Moska ka pasur sukses në Rusi, në Krime apo në pjesë të Ukrainës lindore. Prandaj Hanno Gundert nuk çuditet që ka kaq shumë përkrahje për Putinin.