1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beteja e simuluar e zonës së tranzitit

Felix Steiner14 Tetor 2015

Politika e përdor si fjalë magjike: "zonë tranziti". Krijon përshtypjen sikur mund të zgjidhet në këtë mënyrë kriza e refugjatëve. Pa kuptim, mendon Felix Steiner. Një plan krejtësisht jo realist.

https://p.dw.com/p/1GnUj
Symbolbild Flüchtlinge Polizei Kontrolle Abschiebung
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Becker

Ka shpërthyer një diskutim midis CDU, CSU dhe SPD - pra brenda qeverisë federale- që krijon përshtypjen sikur vetëm me idenë e "zonave të tranzitit" mund të zgjidhet ideja e problematikës së refugjatëve dhe mund të futet në rrugë të përcaktuar vërshimi i njerëzve.

Ia vlen të pritet me interes projektligji, që ka thënë se do të paraqesë ministri i Brendshëm. Por edhe po të mendosh vetëm pak, çdo njeriu gjysmë të arsyeshëm duhet t'i bëhet e qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me një medikament shërues çudibërës. Sepse gjendja në kufirin gjermano-austriak nuk mund të krahasohet as së largu me gjendjen në një aeroport.

Kampe gjigande internimi në kufi?

Sallat në rrugët kryesore të qarkullimit duhet të jenë gjigande, për t'i strehuar atje të ardhurit, për kohën e verifikimit të origjinës dhe të kërkesës së tyre. Ato duhet të jenë të rrethuara me gardhe dhe tela me gjemba, në mënyrë që askush i paautorizuar të mos lejohet të largohet prej tyre. Kampe të tilla internimi nuk mund të përfytyrohen edhe sikur të mendosh vetëm historinë gjermane. Veç kësaj ato do të ishin pa efekt, sepse refugjatët thjesht mund t'u bënin atyre bisht. Pse është i nevojshëm atëherë i gjithë ky debat?

Bëhet fjalë vetëm për profilizim politik. Për përpjekjen, që përballë një ndryshimi masiv të klimës në popull të krijohet përshtypja e aktivitetit: ne po kujdesemi! Ne i marrim seriozisht shqetësimet dhe frikërat tuaja! Ne e zgjidhim problemin!

Zgjohen shpresa

Kjo është një lojë me rrezik të madh. Sepse me propozime dhe me debate të tilla zgjohen veçanërisht tek njerëzit e thjeshtë shpresa të mëdha. Shpresa, të cilat edhe sikur të zbatoheshin plane të tilla - nuk mund të plotësohen. Po pastaj?

Kancelarja, e cila me siguri që nuk do ta mbajë asnjëherë fjalimin e madh për krizën e refugjatëve, por që ndërkohë gjithsesi është shpjeguar në një talk-show si dhe në një intervistë dyfaqëshe me gazetën më të madhe bulevardeske gjermane, e ka bërë të qartë linjën e saj: një mbyllje e kufijve nga policia ose ushtria me të nuk do të ketë. Ajo e konsideron këtë jo vetëm të papërshtatshme, por edhe praktikisht të pamundur. Pra për mendimin e saj ajo që duhet diskutuar është si të organizohet pranimi dhe integrimi.

Vetëm se problemi është:as përshpejtimi i kërkesave për azil, as ndërtimi i shpejtë i strehimeve të refugjatëve me standarde më të ulëta nuk krijojnë me shpejtësi tituj në gazeta, pra që t'i japin popullit ndjesinë e mirë se politika po bën diçka. Max Weberi e kuptoi që 100 vjet të shkuara: politika është hapja e rrugëve të gjata.

Plani i Angela Merkelit

Ajo ka një plan, tha Angela Merkeli javën e kaluar. Se cili mund të ishte ky plan, mbeti për fat të keq në errësirë. Ndoshta është ky: dje u bë ditur që kancelarja do të vizitojë të dielën e ardhshme Turqinë. Meqenëse masa më e madhe e refugjatëve që vijnë aktualisht në Gjermani vijnë nga dhe nëpërmjet Turqisë, atje natyrisht që ndodhet një çelës vendimtar për rregullimin e vërshimit të njerëzve. Prandaj çdo Euro që Gjermania i jep qeverisë turke për të përmirësuar situatën e refugjatëve atje ndikon njëkohësisht në zgjidhjen e problemeve këtu.