1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc pozitiv i vitit 2007

31 Dhjetor 2007

Në ditën e fundit të vitit komentatorët e shtypit gjerman gjejnë shkas për të komentuar zhvillimet kryesore të 2007-ës.

https://p.dw.com/p/CiCf
Tradicionalisht natën e ndërrimit të viteve hidhen fishekzjarrë në Portën e Brandenburgut në Berlin.Fotografi: dpa

"Wiesbadener Kurier" analizon rolin e Gjermanisë në politikën ndërkombëtare duke konstatuar kontrastin me politikën e brendëshme: "Gjermania dhe veçanërisht kancelarja e saj kanë luajtur një rol të lavdërueshëm në politikën ndërkombëtare gjatë vitit 2007. Angela Merkel shkëlqeu si presidente e radhës së BE-së, si organizatore e samitit të vendeve të industrializuara të grupit G 8 e po ashtu edhe si një paraprijëse për mbrojtjen e klimës. Ndërkohë që bilanci në politikën e brendëshme është më modest. Zhvillimet e kënaqshme ekonomike në vend, veçanërisht ulja e papunësisë, duket se janë arritur pa ndërhyrjen e politikës, ose siç thonë gojët e këqia, kjo ka ndodhur pavarësisht ekzistencës së koalicionit të madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Koalicioni gjatë vitit shpesh herë është marrë me veten e vet, e kryesisht krahu i partisë socialdemokrate."


Komentatori i "Offenbach-Post" duke komentuar vitin 2007 hedh një vështrim edhe në zhvillimet që priten në 2008: "Se çfarë do të sjellë 2008 nuk e dimë. Megjithatë e dimë që në Hesen do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lufta elektorale po ndjehet në shumë zona. Eshtë e pabesueshme se ku u shkon mendja politikanëve, kur dalin për të peshkuar votat dhe çfarë kërkojnë ato nga mediet. Nëse programet janë pjekur si duhet, apo nëse kemi të bëjmë vetëm me fjalë në erë sa majta e djathtas, këtë do ta vlerësojmë si duhet më 27 janar. Nëse paskëtaj gjithçka do të bëhet më mirë, ashtu siç po përpiqen të na e mbushin mendjen, apo më keq, apo do të mbetet ashtu siç ka qenë? Këtë do ta shohim. Por tani le ta përshëndesim një herë vitin e ri ashtu siç duhet, më së miri me optimizëm."