1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230609 Weißrussland EU

23 Qershor 2009

Këtë të martë do të diskutohet për mundësinë që Bjellorusisë t'i kthehet statusi i vendit mik në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Por si e vlerësojnë vetë politikanët bjellorus afrimin me Evropën?

https://p.dw.com/p/IXM6
Opozitarë demostrojnë më 25 mars 2009 në qendër të Minskut për një Bjellorusi evropiane.
Opozitarë demostrojnë më 25 mars 2009 në qendër të Minskut për një Bjellorusi evropiane "Europeiskaja Belaruc"Fotografi: picture-alliance/ dpa

Sundimi autokrat i presidentit bjellorus Aleksandër Llukashenko, mosrespektimi i lirisë së shtypit dhe shtetit ligjor - të gjitha këto patën bërë që në vitin 1997, Bjellorusia të humbte statusin e mysafirit të posaçëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Bjellorusia është vendi i vetëm evropian, i cili nuk është i përfaqësuar në Këshillin e Evropës. Si qeveria ashtu dhe opozita në Minsk e përshendesin afrimin me Evropën. Konkretisht: ata mirëpresin një status të ripërtrirë të vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Megjithatë të diskutueshme mbeten rrethanat e këtij zhvillimi.

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, dhe Komisionerja për marrëdhëniet me jashtë Benita Ferrero-Waldner në Minsk.
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, dhe Komisionerja për marrëdhëniet me jashtë Benita Ferrero-Waldner në Minsk.Fotografi: AP

Olga Abramova, ish-deputetete e parlamentit në Minsk thotë : "Ky është një hap tjetër në rrugën e legalizimit të statusit të Bjellorusisë në nivel evropian. Sot kjo duket si e favorshme, e rehatshme dhe e praktikueshme".

Por pjesë të opozitës në Minsk e refuzojnë me vendoshmëri mënyrën e këtij legalizimi. Anatoli Lebedko është nga Partia e Bashkuar Qytetare: "Meqenëse e gjitha është duke u zhvilluar me shumë ngut dhe pozita jonë nuk tregohet qartë, disa bashkëkombas ndihen të shqetësuar dhe nuk kuptojnë. Përse deri dej Llukashenko konsiderohej si 'diktatori i fundit i Evropës' ndërsa sot ne jemi duke përjetuar në Minsk një invazion evropian të vërtetë, ku të gjithë vrapojnë për të fituar miqësinë e tij". Shefi i Partisë së Bashkuar Qytetare druhet, se ky qëndrim mund të rrënojë autoritetin e institucioneve ndërkombëtare.

Opozitarë demostrojnë më 25 mars 2009 në qendër të Minskut për një Bjellorusi evropiane.
Opozitarë demostrojnë më 25 mars 2009 në qendër të Minskut për një Bjellorusi evropiane.Fotografi: Tolochko Viktor / ITAR-TASS

Por kjo kundërshtohet nga politologu, Vladimir Mazkeviq. Ky thekson se është programi 'Partneriteti-Lindje' ai, që ka bërë që çështja e standardeve evropiane të kthehet në qendër të vëmendjes në Bjellorusi. Përderisa Bjellorusia mbetet e izoluar nuk do të jetë i mundur as afrimi me standardet evropiane: "Bjellorusia duhet të integrohet në institucionet evropiane. Fillimisht në Këshillin e Evropës. Është marrëzi që Bjellorusia nuk gëzon as statusin e vëzhguesit".

Edhe Olga Abramova shprehet e bindur që kthimi i Bjellorusisë në Këshillin e Evropës do të sillte me vete shumë mundësi të reja. Ajo nuk e anashkalon faktin që para së gjithash janë pushtetmbajtësitë në Minsk ata që mund t'i shfrytëzojnë këto mundësi: "Por nëse qeveritarët shfrytëzojnë mirë këto mundësi atëherë nga kjo do të përfitojnë diçka edhe qytetarët".

Ndërkaq Vlladimir Mazkeviq shkon edhe më larg. Ai pohon se Bjellorusia mundet vetëm të fitojë: "Përfaqësuesitë e Bjellorusisë do të inkuadrohen në zhvillimet evropiane. Ata do ta kuptojnë më mirë se si funksionon Këshilli i Evropës. Kush e di ndoshta pastaj ata do të kërkojnë vet ndryshime në vend". Megjithatë ndryshimet nuk ndodhin shumë shpejt. Kështu që Mazkeviq bën thirrje për durim: "Nga nënshkrimi i marrëveshjeve deri tek rezultatet konkrete që mund të shihen nga çdo bjellorus nevojitet një kohë e caktuar," sqaron Mazkeviq.

Autor : Vladimir Dorochov / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama