1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blaess-Rafajlovski: Shqiperia dhe Ballkani Perendimor duhet të bëjnë mirë "detyrat e shtepise" për të patur standartet politike për BE

Ani Ruci26 Shkurt 2009

Politikanja gjermane, Petra Blaess-Rafajlovski, ish deputete e Bundestagut gjerman e konsideron 2009-ën nje vit të rëndësishëm për ecurinë e zgjerimit të BE me vende të Ballkanit Perëndimor

https://p.dw.com/p/H1mb
Petra Blaess-RafajlovskiFotografi: Ani Ruci

DW: Cila është piköpamja e Berlinit për çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian me vende të Ballkanit Perëndimor ? A e sheh të afërt, apo të largët valën e re të zgjerimit?

Petra Blaess-Rafajlovski: Po bëj të njohura tre rekomandime të Institutit Gjerman për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, që është këshilltari kryesor , një "think tank", për zyrën Federale në Berlin, lidhur me këtë çështje. Rekomandimi i parë është domosdoshmëria e debatit lidhur me statusin e vendit kandidat me BE. A duhet shtrirë ky status, në një të ardhme të afërt, për të gjitha vendet kandidate potenciale për anëtarësim? Ky duhet të jetë thelbi i debatit. Rekomandimi i dytë i Institutit të Berlinit është mbajtja e gjallë e procesit të zgjerimit përmes fokusimit në kushtet e qarta për hapat individuale të çdo vendi. Rekomandimi i tretë është kthimi i BE, përmes thjeshtimit të procedurave të vizave, në një destinacion të arritshëm për vizitorë nga Ballkani Perëndimor sidomos për studentë, sipërmarrës, profesionistë. Vendet e Ballkani Perëndimor duhet ta ndjejnë që e ashtuquajtura "pika e moskthimit prapa" për pranimin në BE tanimë është arritur. Këto vende duhet të përqëndrohen tek "acqui communitaire" me një intensitet më të madh. Me fjalë të tjera: përmbushja e kërkesave të BE është lidhur ngushtë me kredibilitetin, besueshmërinë e perspektivës së anëtarësimit. Kjo do të thotë se secili nga vendet e Ballkanit duhet të plotësojë kushtet dhe të kryejë reformat.

DW: Kjo që sapo thatë, Zonja Blass- Rafajlovski, ka qenë dhe mbetet parakusht kryesor i progresit në procesin e integrimit europian, që kur ky proces filloi. Ndërkohë situata brenda BE ka peshën dhe rolin e vet. Çfarë zhvillimesh priten ne BE ? A fryjnë erëra që favorizojnë apo frenojnë valën e re të zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor?

Petra Blaess-Rafajlovski: Nëse flasim për politikën e zgjerimit në kuadër të situatës në BE duhen patur parasysh dy çështje kryesore: nga njëra anë është situata brenda BE dhe nga ana tjetër ajo në secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse shohim vitin 2009 lidhur me politikën dhe strategjinë e zgjerimit duhet të jemi të ndërgjegjshëm se do të ketë aplikime të reja për statusin e vendit kandidat: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia. Fakti tjetër është se do të ketë një referendum tjetër në Irlandë për Traktatin e Lisbonës. Nuk duhet harruar që në Qershor do të ketë zgjedhje në Parlamentin Europian. Më tej, në Tetor ose në Nëntor do të ketë një Komision të ri Europian. Në këto kushte ky vit, 2009 do të jetë më shumë një vit shqyrtimi, refleksioni dhe viti i ardhshëm 2010 mund të jetë ai i hapave praktike. Duhen marrë në konsideratë problemet e brendshme të BE, argumentat e kundërshtarëve të zgjerimit të mëtejshëm të BE, sidomos në këtë vit zgjedhjesh europiane. Por nga ana tjetër , BE duhet të jepet një sinjal i qartë për Ballkanin Perëndimor lidhur me një zotimin për perspektivën europiane bazuar në axhendën e samitit të Selanikut në vitin 2003. Mendoj se BE duhet të gjejë mjete dhe mënyra të të reja për të mbajtur gjallë perspektivën europiane të anëtarësimit , për ta mbajtur atë të dukshme, të besueshme dhe të arritshme.

DW: Le të kthehemi tek Shqipëria. Nëse i referohem rekomandimit të Institutit për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare në Berlin, "për hapat individuale" të çdo vendi çfarë duhet të bëjë për të përparuar në këtë proces?

Petra Blaess-Rafajlovski: Shqipëria ka qenë dhe mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe është e dukshme që ka bërë progres në marrödhëniet e saj me institucionet europiane dhe NATO-n. Pranimi i saj në BE varet kryesisht nga stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit. Ratifikimi i Marröveshjes së Stabilizim- Asocimit dhe Protokolli i Anëtarësimit të saj në NATO janë hapa shumë të rëndësishme në këtë proces. Mendoj që duhet të ketë detyra të qarta për tú kryer dhe standarte për t´u arritur nga Shqipëria. Kjo do të jetë një moto kryesore, një shtytje pozitive për të kryer reformat e duhura. Pra, shqiptarët duhet të nxiten për të kryer reformat jo sepse ato i kërkon BE, por se ato janë në të mirë të tyre. Nuk duhet harruar edhe që në tërë procesin drejt integrimit Shqipëria merr asistencë teknike, fonde të parapranimit nga Brukseli dhe këtu çështja kryesore është, sesi kjo asistencë financiare dhe teknike mund të përdoret në mënyrën më efikase. Duhet patur parasysh edhe se bashkëpunimi rajonal nuk i shërben vetëm një vendi, por është njëherazi edhe një kusht për pranimin në BE. Ng ana tjetër çdo vend përfiton nga ky bashkëpunim. Shqipëria ka luajtur një rol pozitiv për nxitjen dhe funksionimin e bashkëpunimit rajonal.

DW: A mund të shprehni më konkretisht mendimin tuaj : çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

Petra Blaess-Rafajlovski : Shqipëria duhet të kapërcejë struktutrat tradicionale, së dyti të stabilizojë institucionet demokratike, të përmirësojë në përgjithësi klimën politike. Mendoj se zgjedhjet parlamentare të Qershorit do të jenë shumë të rëndësishme për ecurinë demokratike të Shqipërisë. Me rëndesi jetike është forcimi i zbatimit të ligjit dhe pavarësia e pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe i drejtësisë. Pa harruar ato që përmenden vazhdimisht: lufta kundër korrupsionit, nepotizmit, larjes së parave, trafiqeve të drogës. Pa harruar domosdoshmërinë e forcimittë shoqërisë civile, ngushtimittë hendekut të thellë mes Tiranës dhe zonave rurale, kalimi i ekonomisë së madhe informale në ekonominë formale. Të gjitha institucioonet brenda vendit duhet të jenë të përgatitura për pranimin në BE.