1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blasfemia në Gjermani

Andreas Noll18 Janar 2015

Vetëm pak shtete në Bashkimin Europian i mbrojnë komunitetet fetare përmes "paragrafit të blasfemisë". Në Gjermani ai ekziston nga viti 1871, por zbatimi i tij në praktikë bëhet shumë rrallë.

https://p.dw.com/p/1EM0z
Symbolbild - Richter
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Wolf

Ndalimi i blasfemisë u duk si jashtë kohe dhe i panevojshëm, prandaj parlamentarët holandezë në dhjetor 2013 e hoqën paragrafin e blasfemisë. Gati 81 vjet me radhë paragrafi kundër blasfemisë ndaj zotit penalizonte ata që e kryenin atë. Ka një vit që kjo normë ligjore i përket historisë. Deputetët në të vërtetë realizuan atë që më parë e kishin bërë realitet gjykatat: Nga viti 1968 nuk ish dënuar asnjë i akuzuar mbi bazën e këtij ligji.

"Paragrafi i blasfemisë" shpërblen personat agresivë

Proceset gjyqësore kundër blasfemisë, ose siç formulohet në ligjin gjerman "Fyerjes së besimit, të komuniteteve fetare dhe pikëpamjeve të organizatave" përbëjnë përjashtim edhe në gjyqet e Gjermanisë. Mund të numërohen me një dorë rastet e tilla, sipas statistikave të gjykatave në vitet e fundit. Kjo lidhet me zhvillimet në shoqëri, por edhe me reformimin e këtij paragrafi ligjor.

Gläubige Bosnische Islamische Kulturgemeinschaft Gazi Husrevbeg Köln Archiv 2010
Fotografi: DW/M. Smajic

Ndalimi i blasfemisë që nga viti 1871 ndiqte penalisht rastet e blasfemimit të zotit si të tilla. Por nga viti 1969 parësor nuk është akti i blasfemisë ndaj një zoti të caktuar, por pasojat e tij. Vetëm po qe se fyerja është e tillë " që prish paqen publike", mund të jepet një dënim deri në tre vite burg apo gjobë.

Blasfemia parimisht e lejuar

Politikanët në vitet 60-të synonin ta largonin nga debati juridik dhe politik temën e blasfemisë, prandaj sanksionet ligjore duhej të vendoseshin vetëm në raste pasojash të rënda. Një kufizim ky që për profesorin e juridikut në Universitetin e Augsburgut, Prof. Johannes Kaspar nuk është konsekuent: "Mënyra se si është formuluar ligji tani, të thotë: komunitetet fetare mund të ofendohen si të duash, për sa kohë që nuk pritet prej kësaj prishja e rendit e paqes publike."

Vitin e kaluar Prof. Johannes Kaspar u angazhua shumë në konferencën e juristëve në Hanover për të fshirë nga kodi penal gjerman (StGB) paragrafin 166. Juristin nuk e shqetëson vetëm fokusimi tek paqja publike, ai kritikon edhe paqartësinë e ligjit. Sepse paragrafi 166 i kodit penal gjerman nuk e mbron individin nga fyerja, por vetëm përmbajtjen e një besimi apo botëkuptimi fetar. Se ku janë kufijtë, këtë e vendosin vetë prokurorët dhe gjykatësit sipas rasteve që paraqiten. Një detyrë delikate: "Po qe se e interpreton shumë lirshëm këtë paragraf, satirikët dhe karikaturistët kryejnë rregullisht veprime të penalizueshme. Por këtë ne nuk e duam në Gjermani. Përkundrazi: Ne theksojmë lirinë e shtypit dhe shprehjes së mendimit", thekson Kaspar në bisedë me Deutsche Welle.

Symbobild Richter
Parësore për ligjin liria e shprehjes dhe shtypitFotografi: Fotolia/apops

Pak dënime

Në praktikë shumë pak prokurorë dhe gjykatës i referohen ndalimit të blasfemisë. Nga 60 raste në vitin 2013 sipas statistikave kriminle të policisë, shumica nuk dolën para gjykatës. Edhe në rastet kur këto raste dalin para gjyqit, gjykatat theksojnë gjithmonë prioritetin e lirisë së shprehjes, artit dhe shtypit. Kur tre xhami në verën e vitit 2012 donin të ndalnin karikaturat e Mohamedit gjatë një demonstrate, Gjykata e Lartë Administrative e Berlinit dha një refuzim të trefishtë: Karikaturat kategorizohen si pjesë e lirisë së shtypit, paraqitja e tyre nuk është thirrje për urrejtje apo ushtrim dhune, dhe nuk ka "një fyerje" në kuptimin e përçmimit të një besimi fetar" - në këtë konkluzion arriti gjykata.

Ndjenja e sigurisë

Një vendim që nuk e habit ekspertin e së drejtës së shtypit, Steffen Bunnenberg. Sipas tij ekzistojnë mekanizmat e sigurisë që duhet të mbrojnë gazetarët dhe qytetarët e thjeshtë nga një dënim për shkak të paragrafit të blasfemisë. Për anëtarët e një besimi të caktur kjo do të thotë: "Në një shoqëri liberale duhen duruar disa gjëra."

Iran Frankreich Demonstration gegen Mohammed Karikaturen in Teheran
Protesta kundër karikaturave të mohamedit në Teheran në vitin 2012Fotografi: ATTA KENARE/AFP/GettyImages

Kur në vitin 2011 një blogger e quajti kishën katolike "një sekt që bën seks me fëmijë", një gjykatëse e Berlinit madje refuzoi të pranonte një proces gjyqësor kundër tij. Nuk ka çudi që partitë politike grinden për këtë rregullore. Të Gjelbrit dhe liberalët duan ta heqin plotësisht ndalimin e blasfemisë.

Ndikimi i protestave ndërkombëtare

Një ndër rastet e veçanta që lidhen me paragrafin 166 është dënimi i një pensionisti në Mynster, i cili kishte shpërndarë letra higjienike me vulën e kuranit. Pas protestave edhe nga Irani, gjykata e cilësoi këtë rast një rrezik për paqen publike. Ndërkohë në konferencën e juristëve në Hanover nuk u miratua kërkesa për heqjen e penalizimit të blasfemisë. Shumica e juristëve vendosi se "kjo u jep pakicave fetare ndjenjën e një sigurie ekzistenciale".