Bllokimi nga parlamenti i dekreteve të Presidentit Topi shkakton debate mes politikanëve
3 Qershor 2008Në 12 maj të këtij viti presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi emrat e disa anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë dhe këto dekrete ia dërgoi parlamentit. Por shqyrtimi dhe votimi i tyre është bllokuar nga ana e mazhorancës, e cila ka shfaqur pakënaqësi që kreu i shtetit nuk u konsultua paraprakisht për emrat me faktorët politikë dhe grupimet në parlament. Sipas kryetares së parlamentit , Jozefina Topalli, duhet zbatuar një vendim i Gjykatës Kushtetutese i disa kohëve më pare, që sanksion dhe nevojën e konsultimeve të presidentit. Nga ana tjetër, opozita e shikon këtë si përpjekje e mazhorancës dhe e kryetares së parlamentit për të kundërshtuar në mënyrë antiligjore presidentin.
Krahas opozitës, të martën zërave të tillë iu bashkua dhe një anëtar i koalicionit qeveritar, ministri i shëndetësisë, Nard Ndoka. Për Ndokën acarimi i marrëdhënieve mazhorancë- president është i panevojshëm. Ndoka, një kundërshtar i hershëm i kryetares së parlamentit e ka shigjetuar atë gjatë komenteve për rolin e saj në çështjen e dekreteve. Sipas Ndokës, dorëheqja e Topallit është një lloj lehtësimi për mazhorancën. Topallin dhe acarimin e marrëdhënieve mazhorancë- president, ministri Ndoka i vlerëson si një “kosto e lartë për koalicionin e djathtë. Për ministrin e shëndetësisë, Topalli i ka dhënë vetes më shumë atribute seç ka, “gjë që e pengon në ushtrimin e detyrës si spikere e Kuvendit të Shqipërisë.
Për rolin e Topallit në çështjen e dekreteve të Presidentit, por dhe për çështjen e heqjes se imunitetit të ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, ditën e martë ka reaguar dhe opozita. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS në opozitë, Erjon Braçe, tha se fajtor për zvarritjen e këtyre problemeve është kryetarja e parlamentit Topalli dhe kryeministri Berisha. Topalli, sipas Braces , e ka shndërruar parlamentin në një shtëpi të korrupsionit. “Ajo nuk do ta kalojë në parlament heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, pai ka frikë se mos ishministri nxjerr gjatë hetimit dhe emrin e Sali Berishës, deklaroi Erjon Brace.
PS ka paralajmëruar se në datën 9 qershor parlamenti duhet të shqyrtojë dekretet e Topit për gjyqtarët e rinj, ndërkohë që tre ditë më pas po parlamenti duhet të diskutojë dhe votojë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të mbrojtjes, Mediu.