1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bllokohen trenat nga Serbia në Kosovë dhe në veri të Kosovës

Bekim Shehu/Prishtinë 4 Mars 2008
https://p.dw.com/p/DHtS
Automjet i UNMIKU-t në Mitrovicë
Automjet i UNMIKU-t në MitrovicëFotografi: AP

Serbët e Kosovës edhe sot zhvilluan protesta të qeta në vendbanimet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës duke mos njohur kështu autoritetin e institucioneve të këtushme. Protestat e sotme ishin të koncentruara në mbështetje të policëve serbë të suspenduar nga SHPK-ja, që ata të kthehen në vendet e tyre të punës, por duke iu përgjigjur vetëm urdhërave të policisë së UNMIK-ut dhe jo autoriteteve kosovare. Ministri i rendit ne qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se strukturat paralele nuk do të lejohen të funksionojnë në Kosovë, ndërsa u bën thirrje policëve serbë të Kosovës që të kthehen në SHPK.

"për të siguruar qetësi dhe siguri janë organet e rendit të Kosovës ato që do të vendosin. Ne u bëjnë thirrje policëve serbë të Kosovës që tu bashkohen kolegëve të tyre shqiptarë, sepse projekti i policisë së Kosovës është një projekt serioz me mbëshettje të fortë ndërkombëtare", thotë ministri Pajaziti.

Në radhët e komunitetit serb, sidomos të atyre të pjesës veriore të Kosovës, akoma nuk duket të ketë vullnet bashkëpunmi me institucionet e Kosovës. Dhjetra punonjës dhe ish punonjës serb po vazhdojnë edhe sot të mbajnë të bllokuara për qarkullim afro 50 kilometra hekurudhë në veri të Kosovës, duke mos njohur kështu autoritetin e ndërmarrjes së hekurudhave të Kosovës. Organet e rendit kanë vendosur që tash për tash të mos ndërhyjnë me dhunë për të zgjidhur situatën e krijuar, mirëpo, janë duke bërë përpjekje që me bisedime të zgjidhin këtë cështje.

Autoritetet ndërkombëtare, sot nuk kanë lejuar trenat që vijnë nga Serbia të hyjnë në teritorin e Kosovës, mirëpo, as treni i Kosovës i lëvizjes së lirë që bartë kryesisht serbët përbrenda Kosovës nuk ka qarkulluar për në veri të vendit. Të gjitha këto veprime të serbëve, për autoritetetet e Prishtinës, janë vepër e qeverisë së Serbisë, e cila po nxit tensione në Kosovë duke manipuluar banorët serbë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se Kosova nuk do të mbetet peng i vullnetit të Beogradit dhe peng i askujt.